S’e ka emrin në fletën e votimit: Çka po bën Biden sot?
Derisa emri i tij nuk shfaqet këtë herë në fletën e votimit, Joe Biden pritet të ndjekë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga rezidenca në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti, i cili nuk është shfaqur shumë ditëve të fundit, pritet të veprojë njëjtë edhe sot.
CNN raporton se ai dhe Zonja e Parë, Jill Biden do të ndjekin rezultatet nga rezidenca e Shtëpisë së Bardhë, me ndihmësit e tyre dhe stafin senior, ka thënë një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, transmeton Nacionale.
Biden nuk ka ndonjë event publik në agjendën e tij dhe pritet të marrë përditësime të vazhdueshme derisa gara vazhdon përgjatë gjithë vendit.
Zgjedhjet e ditës së sotme duken shumë ndryshe nga ajo që Biden e kishte parashikuar para disa muajve - kur shpresonte që votuesit do të zgjidhnin atë për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë – dhe që rezultati do të ndihmonte të vendosej në mënyrën se si presidenti do të kujtohej.
Ndryshe, në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara tashmë ka filluar procesi i votimit në zgjedhjet presidenciale. Në pjesën tjetër pritet të fillojë pas disa orëve.
Në zonën kohore lindore të ShBA-së është mëngjes i hershëm, ora 7 e një çerek.
Qendrat e votimit janë hapur në: Alabama, Delaware, Washington DC, Florida, Georgia, Illinois, Kansas, Maryland, Massachusetts, Michigan, Missouri, Pensilvani, Ishulli Rhode, Karolinë e Jugut, Tennessee, raporton televizioni CNN.
Disa qendra votimi në disa prej shteteve të përmendura më sipër hapen në orën 8 sipas zonës kohore lindore ose në orën 14:00 sipas zonës kohore të Kosovës.