Scholz ia bën me dije Kurtit se marrëveshja me Serbinë kërkon kompromis pragmatik
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz zgjodhi Kosovën për ta nisur turin e tij në Ballkanin Perëndimor. Pas një takimi gati 1-orësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ata të dy dolën në një konferencë për media.
Liberalizimi i vizave, Ballkani i Hapur, dialogu me Serbinë e kompromiset, ishin disa nga temat të cilat zunë vend në këtë konferencë për media.
Kancelari gjerman, Scholz, përmendi “kompromiset pragmatike” për vendet të cilat po synojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Madje, këto kompromise i përmendi dy herë.
“Pra, është diçka ku në fund kërkohet edhe pragmatizëm, në mënyrë që çështjet finale të zgjidhen në kuadër të dialogut. Qëllimi është edhe përafrimi me shtete e BE-së”, tha Scholz.
“Kjo rrugë e nisur drejt BE-së ka një shansë reale, kur të përmbushen kushtet. Të gjitha vendet duhet të jenë të gatshme për kompromise pragmatike. Udhëtimi im këtu është edhe për t’i vazhduar bisedimet që i kemi pasur në Berlin”, ka thënë Scholz.
Ai foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Përfaqësuesi i BE-së, Lajçak, e ka mbështetjen tonë, kurse dialogu është platforma që i hap rrugën evropiane Kosovës. Marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe njohjen e Kosovës, sepse është e paimagjuneshme që dy shtete që nuk e njohin njëra-tjerën të anëtarësohen në BE”, tha Scholz.
Kancelari i Gjermanisë u tregua paksa diplomat kur foli për Ballkanin e Hapur. Ai tha se e mbështesin Tregun e Përbashkët Rajonal.
“Për Open Balkans, prioritet i japim tregut të lirë, të cilit mendojmë se duhet të përparojë. Çështjet e brendshme të OB mund të çohen përpara. Duhet të arrihen arritjet që janë të arritshme. Të gjithë duhet të shkojnë në BE, edhe atje duhet të ekzistojnë dhe janë të vlefshme rregullat e BE-së”, tha Scholz.
Një takim në lidhje me Procesin e Berlinit u paralajmërua për në vjeshtë.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, gjithashtu premtoi përkrahje për Kosovën në lidhje me liberalizimin e vizave, përderisa për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nuk pati ndonjë zotim.
“Liberalizimi i vizave duhet të shkojë përpara, duhet ta bëjë punën e saj Kosova. Po angazhohemi me partnerë me këmbëngulje. Kosova i ka përmbushur kushtet, dhe duhet t’i bindim edhe shtetet e tjera se Kosova e meriton”, deklaroi Scholz.
Në fund, Scholz shprehu mirënjohje për ushtarët gjermanë në Kosovë, përderisa tha se Kosova duhet ta fuqizojë Ushtrinë.
Çfarë deklaroi kryeministri Kurti?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në këtë konferencë për media, dha lajmin se Kosova synon të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE, deri në fundin e këtij viti.
“Në takimin e Berlinit ia prezantova të gjitha zhvillimet pozitive ekonomike. Sot e sigurova se përkundër rrethanave të vështira, qeveria jonë po bën reforma. Do të vazhdojmë me asipratën tonë për statusin e kandidatit në BE, në fund të këtij viti”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës nuk foli direkt për Ballkanin e Hapur, por u shpreh se janë në përkrahje të Procesit të Berlinit.
Ai foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
“Kosova ka treguar zgjidhje kreative, por që Serbia po e bllokon marrëveshjen për targa”, theksoi Kurti.
Pas Kosovës, kancelari gjerman Scholz do të vizitojë edhe Serbinë e Greqinë.