Scholz e Stoltenberg në takim: Tensionet në Kosovë na treguan sa e rëndësishme është prezenca e KFOR-it - NACIONALE

Scholz e Stoltenberg në takim: Tensionet në Kosovë na treguan sa e rëndësishme është prezenca e KFOR-it

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka pritur sot në Gjermani sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Paraprakisht, ata kanë mbajtur një konferencë për media, ku është përmendur edhe situata në Kosovë, më konkretisht në veri të vendit.

Scholz para gazetarëve deklaroi fillimisht që NATO është garantues i sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka shtuar se tensionet së fundi në veri të vendit, kanë treguar se sa e rëndësishme është prezenca e KFOR-it.

“NATO është po ashtu garantues i sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Në Kosovë, përmes KFOR-it, Gjermania po merr pjesë në këtë mision me forcat e armatosura. Tensionet së fundi kanë treguar se sa e rëndësishme kjo prezencë është. KFOR-i duhet të jetë në një pozicion që të reagojë si duhet ndaj të gjitha zhvillimeve.” – u shpreh ai.

Tutje, kancelari gjerman ka thënë se situata në Ukrainë, Lindje të Mesme dhe në të gjithë botën, do të jetë në agjendë të takimit.

Situata në Ukrainë, në Lindje të Mesme dhe në të gjithë botën do të jenë në agjendën e takimit tonë.

Situata në Kosovë, pjesë edhe e Raportit të Progresit

Situata në Kosovë ka nxitur thirrje nga shumë vende aleate për deeskalim. Kjo çështje, u bë pjesë edhe e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian të publikuar gjatë ditës së djeshme.

Sulmi terrorist i 24 shtatorit është vlerësuar si përshkallëzimi më i rëndë në veri në periudhën e fundit. BE-ja kërkoi që autorët të vihen para drejtësisë.

“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit. Situata në veri të Kosovës është ndikuar nga disa kriza me intensitet të ndryshëm për një sërë çështjesh, me një sulm të dhunshëm kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023, që përbën përshkallëzimin më të rëndë të viteve të fundit. Në kuadër të këtij sulmi u gjetën sasi të mëdha të armëve të vogla dhe të lehta (SALË). BE pret që autorët të kapen dhe të sillen shpejt para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim.” – thuhej në raport.

Përveç kësaj, në raport dukej që Kosova fajësohej rreth tensioneve, ku theksohej se ato “erdhën pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ri-regjistrimin e të gjitha automjeteve me targa të Kosovës”.

“Kriza të tjera gjatë periudhës raportuese u shkaktuan nga çështjet e lirisë së lëvizjes, veçanërisht targave, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës më 29 qershor 2022 për të zbatuar ri-regjistrimin e të gjitha automjeteve me targa të Kosovës. Kjo çoi në tensione në korrik 2022 dhe vazhdoi përmes ngritjes së postblloqeve dhe dorëheqjes kolektive të serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022. Pas tërheqjes së serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës, u organizuan zgjedhje të pjesshme lokale në katër komunat në veriun e Kosovës. Të planifikuara fillimisht për dhjetor 2022 dhe më pas të shtyra për 23 prill 2023, zgjedhjet e pjesshme për kryetar komune dhe komunale u mbajtën në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe u bënë përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt.” – shkruhej tutje.

Lajme të ngjashme