"S'besoj në vullnetin e palës tjetër", Vuçiq skeptik se Kurti e themelon Asociacionin - NACIONALE

"S'besoj në vullnetin e palës tjetër", Vuçiq skeptik se Kurti e themelon Asociacionin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq shprehu skepticizëm për angazhimin e qeverisë së Kosovës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dy ditë para takimit të Nivelit të Lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ku Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell bashkë me ndërmjetësin Miroslav Lajçak, do të pres në takime fillimisht ndaras Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuqiq, “për t’u pasur me takim trilateral”.

Gjatë adresimit para popullit serb, Vuçiq foli për udhëtimin e tij Bruksel, ku pretendoi synimin e tij për t'iu qasur diskutimeve në mënyrë konstruktive.

Para takimit me Kurtin, Vuçiq deklaroi se nuk beson në vullnetin e qeverisë së Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Siç bën rëndom, lideri i shtetit serb injektoi një dozë viktimizimi në deklaratën e tij, duke pohuar se "ka frikë nga provokimet e tyre (palës kosovare)."

“Ne do të sillemi në mënyrë konstruktive, do të mundohemi të bëjmë gjithçka që të zgjidhim problemet me dialog, t'i zgjidhim gjërat me dialog. Unë nuk besoj në vullnetin e palës tjetër për të marrë pjesë në krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, unë kam frikë nga provokimet e tyre, por ne do të qëndrojmë të vendosur dhe seriozisht”, tha Vuçiq.

Borrell: Duhet të ketë zbatim të marrëveshjeve

Nga ana tjetër, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, gjatë një konference për media tha se po vazhdojnë përpjekjet që përmes dialogut palët të arrijnë një zgjidhje operative.

“Unë vazhdoj të përpiqem që në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të arrihet një zgjidhje operative, sepse ne tashmë kemi një marrëveshje. E kemi marrëveshjen e Ohrit. Problemi është se marrëveshjet duhet të zbatohen dhe palët nuk kanë mundur t’i zbatojnë ato për një arsye apo një tjetër dhe mendoj se ishte e nevojshme të rifillonin takimet e nivelit të lartë për të ditur se ku jemi, veçanërisht në një kohë kur vendet anëtare po diskutojnë propozimin tim për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës”, ka deklaruar Borrell.

Borrell ka komentuar edhe çështjen e sanksioneve ndaj Kosovës duke shtuar se pret që ato të hiqen.

“Nëse këto sanksione hiqen, unë shpresoj se po. Të paktën ky është propozimi im. Qoftë edhe në formë graduale, por shpejt. Kjo mund të krijojë një skenar në të cilin nuk them se dialogu do të rifillojë, por të paktën nuk do të mbyllet papritur. Dy liderët nuk janë takuar prej kohësh në kuadër të dialogut dhe nuk dua të dorëzohem, para se të përfundoj manadati im”, tha ai më tej.

Për takimin BE-ja ka bërë të ditur se “do të bëhet vlerësim” rreth asaj se çka është arritur në dialogun e Brukselit, përkatësisht Marrëveshjen e Brukselit (2023) dhe Shtojcën e Zbatimit të Ohrit (2023).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell] dhe i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të kenë takime të ndara me liderët duke nisur nga ora 15:00, për të pasuar me një takim të përbashkët trepalësh. Takimi do të shërbejë për të vlerësuar atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e përfaqësuesit të lartë dhe do të fokusohet në rrugën përpara”, u tha në njoftimin e BE-së.

Lajme të ngjashme