Saga për Kryeprokurorin: Presidenca thotë se po e presin vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese të premten e 29 shtatorit, nxorri një vendim në lidhje me rastin e Kryeprokurorit të shtetit. Ky vendim porsa të bëhet i plotë, pritet ta zhbllokoj procesin që ka mbetur peng, i procedurave. Kushtetuesja ka sqaruar se vendimi i Supremës për të cilin u ankua kandidati për kryeprokuror Shqipdon Fazliu, s'ishte në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës . Megjithatë ky Aktgjykim ende nuk është publikuar i plotë, e nuk i është dërguar Presidentes Vjosa Osmani.
Bekim Kupina, këshllirar për media i Presidentes, në një prononcim për Gazetën Nacionale, ka thënë se për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt si Kryeprokuror, i cili u zgjodh nga Këshilli Prokurorial, do të vendoset pasi Gjykata Kushtetuese, t’ia dorëzoj Presidentes Aktgjykimin e plotë.
“Presidentja ka theksuar në vazhdimësi se për çështjen e Kryeprokurorit do të pres deri në përfundimin e të gjitha procedurave gjyqësore në gjykatat e Kosovës. Në rrjedhë të kësaj, Presidentja është në pritje të dorëzimit të Aktgjykimit të plotë nga ana e Gjykatës Kushtetuese (meqë një gjë e tillë është detyrim ligjor), për të vendosur konform kompetencave të saj kushtetuese.” - ka thënë Kupina.
Isufaj njeriu më i rëndësishëm në Kosovë?
Drejtësia ishte prioriteti i premtimeve të Kurtit bashkë me Listen “Guxo”. Kur kanë kaluar më shumë se 2 vjet nga Qeveria Kurti II, Kosova vazhdon të operoj pa Kryeprokuror të shtetit, pozitë kjo që për vetë Kurtin është më e rëndësishme se ajo e Kryeministrit.
“Secilën ditë që po vazhdojë si kryeministër shpeshherë edhe duke e dëgju ministrin Hekuran po më duket që hala më e rëndësishme kish me qenë me u pa bo kryeprokuror. Po unë kryeprokuror s’muj me u bë, a kryeministër m’keni bë ju, a kryeprokuror s’muj me u bo.” – kishte thënë vetë Kurti.
Por, Kryeprokuror mund të bëhet Blerim Isufaj. Nëse Osmani e dekreton, Isufaj mund të jetë ajo që Kurit tha se është pozita më e rëndësishme në shtet.
Blerim Isufaj u zgjodh nga Këshilli Prokurorial, për t’i prirë prokurorëve, por hasi në rezistencë nga pushteti, e u kushtëzua me afate ligjore. Presidentja Osmani s’e dekretoi, as s’e refuzoi
Presidentja duhet ta dekretoj Isufajn?
E që Presidentja do të vendos, madje në favor të Isufajt, po thotë avokati i Partisë Demkratike të Kosovës, Faton Fetahu.
“Presidentja Osmani është e detyruar që të dekretoj kandidatin për Kryeprokurori të shtetit. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës njoftoi për vendimin e saj ndaj kërkesës së kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit z. Shqipdon Fazliu, duke konfirmuar kushtetutshmërinë e plotë të vendimeve gjyqësore të tri shkallëve të sistemit të rregullt të drejtësisë, të cilat, këtij kandidati ia kishin refuzuar si të pasafatshme padinë kundër vendimit të Këshillit Prokurorial për mospërzgjedhjen dhe mospropozimin e tij si kandidat për kryeprokuror, respektivisht kundër vendimit për propozimin e z. Blerim Isufaj si kandidat për Kryeprokuror të Shtetit’ – ka shkruar Fetahu në Facebook.
Në anën tjetër vetë Shqipdon Fazliu, që ishte kandidat për Kryeprokuror, e që u ankua në gjykata për këtë process, përmes një reagimi në Facebook ka thënë se Kushtetuesja nuk ka vendosur për meritat e rastit. Fazliu ka thënë se i mbetet në dorë Presidentës të vendos.
Nuk ka asnjë vendim meritor rreth procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.
“Gjykata Kushtetuese thjeshtë tha se kërkesa ishte dashur të trajtohej fillimisht nga gjykatat e rregullta.
Ndërsa, gjykatat e rregullta thanë se kërkesa ishte e pasafatshme.
Mirëpo, asnjë vendim meritor nuk është marrë. Pra, gjykatat as nuk kanë thënë se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit ishte i ligjshëm, e as që ishte i paligjshëm.
Mbetet qe Presidenti i Kosovës të jap vlerësimin e parë dhe të fundit nëse procesi i këtij rasti ishte i drejtë, meritor dhe i ligjshëm.” – ka shkruar Fazliu.
Kurti: Blerim Isufaj nuk do të mund të bëhet kryeprokuror
Gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës Kurti e akuzoi rëndë Isufajn, derisa po “argumentonte”, se pse sipas tij, i njejti nuk do të mund të bëhet Kryeprokuror. Anipse, një vendim i tillë nuk kalon nëpër duart e tij, por të Presidentes Osmani.
“Unë nuk kam dyshim që prokurorinë e shtetit dhe atë sa më larg aq më shumë ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vete ndaj meje, si kryeminsiter, por ndaj qeverisjen tonë, ndaj pushteti të ri të dal nga 14 shkurti 2021. Kjo lidhet me shumë se me askënd tjetër me figurën e prokurorit Bleirm Isufajt”, tha Kurti,
“Bëhet fjalë për një prokuror, i cili është mirënjohur në skenen tonë publike që rastin e vrasjes seëish shefit të AKP, Dino Hasanajt e ka kategorizoj në vetëvrasje ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish drejtorit të informimit në kryeministri Hamdi Sopa e shndërroi në vrasje. Njëkohësisht bëhet fjala për një prokuror, i cili asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë dhe pikërisht ky prokuror dëshiron të behet kryeprokuror.
“Por, nuk do të mundet (të bëhet kryeprokuror). Sepse këtu ka republikë dhe popull”,
Edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, i bëri “vettingun”, Isufajt në seancë të Kuvendit. Duke i “dërguar mesazh” Presidentes Osmani, se as jo s’e do Isufajn për Kryeprokuror.
“Ju e dini shumë mirë se për çka përkushtohet Qeveria Kurti. Neve na duhet një Kryerokuror që nuk e ka bishtin e zënë me derë...” – tha znj. Haxhiu në fjalën e saj.
Ndërkohë, u tregua edhe më e ashpër kur i tha këto fjalë:
“Nuk mundemi edhe me shtatë vite me e çu me një prokuror që është i paaftë, që nuk ka integritet moral...”