Sadri Ramabaja e përmendi si kryetarin e ardhshëm potencial të PDK-së, reagon Bardhyl Mahmuti - NACIONALE

Sadri Ramabaja e përmendi si kryetarin e ardhshëm potencial të PDK-së, reagon Bardhyl Mahmuti

4 javë më parë

nga NACIONALE

Bardhyl Mahmuti ka reaguar pasi iu përmend emri nga opinionisti Sadri Ramabaja, si një emër i mundshëm për ta udhëhequr PDK-në, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga pozita e kryetarit në këtë parti.

Mahmuti shkruan:

Të dashur miq,

Pas dorëheqjes së z. Memli Krasniqi nga drejtimi i PDK-së, një numër gazetarësh më kanë kërkuar të jap përgjigje lidhur me përmendjen e emrit tim në Debat Plus në TV Dukagjin, nga Sadri Ramabaja.

Për shkaqe objektive nuk kam mundur të jem pjesë e emisioneve që më është kërkuar, por po e bëj publik qëndrimin tim që ja kam dërguar gazetares Njomza Pllana, të TV Dukagjinit.

Të gjithë të interesuarit mund ta publikojnë qëndrimin tim.

Me respekt

Bardhyli

**

Shpresoj që drejtuesit legjitim të PDK-së të kthehen sa më parë në Kosovë!

Krahas aktiviteteve që lidhen me qëllimet e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”, për të sensibilizuar opinionin rreth krimit të gjenocidit që ka kryer Serbia ndaj shqiptarëve në Kosovë, dhe veprave shkencore e letrare që kam publikuar për të ndriçuar këtë krim, preokupimi im është fati i njerëzve që padrejtësisht mbahen prapa grilave në Hagë!

Nuk ka nevojë të rikujtoj se në Hagë mbahen përfaqësues legjitim të institucioneve shtetërore dhe partiake të Kosovës. Rrjedhimisht edhe të PDK-së.

Pa u lëshuar në arsyet e dorëheqjes së z. Memli Krasniqi, unë respektoj të drejtën e çdonjërit të tërhiqet apo të konkurrojë për drejtimin e partisë. Mirëpo, në rrethana që na ka imponuar procesi gjyqësor në atë që është bërë e zakonshme të quhet Gjykatë Speciale, çdo njëri që do të marrë drejtimin e të PDK-së, duhet ta ketë prioritet kryesor mobilizimi për ngadhënjimin e drejtësisë dhe lirimin e drejtuesve saj legjitimë.

Përzgjedhja e dëshmitarëve të mbrojtjes së z. Hashim Thaçi ka dëshmuar një shkallë të lartë të profesionalizmit, duke shpartalluar tërësisht të gjitha shtyllat e sajuara ku mbështetej Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës. Mbetem me shpresë që trupi gjykues do të peshojë në mënyrë të paanshme kredibilitetin e dëshmive që solli mbrojta dhe të hedhë poshtë dëshmitë e dëshmitarëve të akuzës, të bazuara në sajesat e Shërbimit Sekret të Serbisë.

Jam i bindur në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit! Uroj që të kthehen sa më shpejtë në Kosovë dhe të japin kontributin e tyre për uljen e tensioneve brenda shqiptare!

Mirupafshim në protestën e 16 nëntorit 2025 në Strasburg!

Me respekt

Bardhyl Mahmuti

Lajme të ngjashme