Sadik Duraku lirohet nga paraburgimi në Serbi, MPJD-ja jep hollësi
Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se është liruar nga paraburgimi në Serbi Sadik Duraku, i cili ishte arrestuar më 17 prill të këtij viti.
Përmes një njoftimi për media, MPJD ka njoftuar se do të vazhdojë të ndjekë nga afër rastet e tilla duke njoftuar edhe bashkësinë ndërkombëtare rreth veprimeve arbitrare dhe destruktive të Serbisë
“Lirohet z. Sadik Duraku nga paraburgimi në Serbi. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njofton që është liruar z. Sadik Duraku, shtetas i Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe, i cili ishte arrestuar më 17 prill 2024 në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi në Batrovci, nën akuzat gjoja për krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë në vitin 1999. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të vazhdojë të ndjekë nga afër rastet e tilla duke njoftuar edhe bashkësinë ndërkombëtare rreth veprimeve arbitrare dhe destruktive të Serbisë të cilat bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, është thënë në njoftimin e ministrisë.