Rusia i vazhdon sulmet në lindje të Ukrainës, paralajmërohet një ofensivë e re
Forcat pushtuese ruse po vazhdojnë që të kryejnë sulme përgjatë vijës së frontit në lindje të Ukrainës, raportoi të martën ushtria ukrainase, ndërsa zyrtarët e Ukrainës paralajmëruan se Moska është duke përgatitur një ofensivë të re në rajon.
Gjatë 24 orëve të fundit, ushtria ruse kreu gjashtë sulme me raketa e 24 sulme ajrore, sipas Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, i cili raportoi edhe për 75 sulme me artileri, përfshirë ato ndaj caqeve civile në rajonet lindore e juglindore: Kharkiv, Donetsk, Dnipropetrovsk dhe Kherson.
Ushtria ukrainase tha se nga këto sulme është shkaktuar një numër i pasaktësuar i pasojave në civilë, raporton Radio “Evropa e Lirë”.
Më vonë, Pavlo Kyrylenko, drejtor i administratës ushtarake rajonale në Donetsk, tha se një person është vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur si rezultat i sulmeve gjatë natës së kaluar në këtë rajon.
Shtabi i Përgjithshëm pretendoi të martën se 1.030 ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë gjatë 24 orëve të kaluara, edhe pse kjo shifër është e pamundur që të vërtetohet.
Luftimet e reja ndodhën, pasi guvernatori i rajonit Luhansk, Serhiy Hayday, tha se Rusia është duke dërguar përforcime në pjesën lindore të Ukrainës para një ofensive të re të mundshme.
“Po shohim gjithnjë më shumë rezerva (ruse) duke u dërguar në drejtimin tonë. Po shohim më shumë pajisje duke u sjellë...”- tha hayday të hënën në televizionin ukrainas.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se forcat ukrainase janë duke i luftuar përpjekjet e trupave ruse për ta rrethuar qytetin Bakhmut dhe për ta thyer vijën e mbrojtjes në këtë qytet.

