Rukiqi: Mungesa e performancës së Qeverisë ka ndikuar drejtpërdrejt në shumë projekte zhvillimore
“Prishja me aleatët”, “ulja e besimit të investitorëve” dhe “performanca e dobët në realizimin e projekteve kapitale”, janë “top” dështimet e Qeverisë aktuale gjatë këtyre katër viteve, sipas ekonomistit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi.
Duke folur për Nacionalen, Rukiqi nënvizoi disa nga pasojat e mos performancës së ekzekutivit në zhvillimin e vendit, veçanërisht në sektorët kritikë si infrastruktura, energjia dhe arsimi.
Ai akuzoi Qeverinë për prishje të marrëdhënieve me aleatët kryesorë ndërkombëtarë, duke çuar në sanksione kundër Kosovës.
Këto marrëdhënie të tensionuara, argumentoi ai, kanë gërryer besimin e investitorëve të huaj dhe vendas, duke ndikuar drejtpërdrejt në realizueshmërinë e shumë projekteve të rëndësishme zhvillimore.
"Mosperformanca e qeverisë së disa drejtime përfshirë edhe krisjet e raporteve me aleatët që kanë rezultuar me sanksione, jo vetëm që kanë ndikuar në uljen e besueshmërisë të investitorëve të huaj dhe vendas, por kanë pasur edhe ndikim të drejtpërdrejt në shumë projekte të rëndësishme zhvillimore për vendin, sidomos në infrastrukturë, energji dhe edukim për të rinjtë", tha ai.
Pasojat e kësaj situate, sipas Rukiqit, tashmë janë të dukshme. Anëtari i LDK-së kritikoi edhe realizimin e ulët të investimeve kapitale, duke shtuar se jo vetëm që kanë ngadalësuar rritjen ekonomike, por kanë kontribuar edhe në rritjen e varfërisë.
"Krahas kësaj sfide të izolimit dhe rritjes së rrezikut për investime në Kosovë, performanca e dobët e qeverisë në realizimin e investimeve kapitale ka ndikuan drejtpërdrejt në mirëqenie, përfshirë dyfishimin e numrit të të varfërve dhe në ngadalësimin e rritjes ekonomike, që në mesatare është nën mesataren e rritjes ekonomike të viteve të pas pavarësisë", th anëtari i LDK-së.
Ai ka komentuar edhe skema sociale të Qeverisë duke thënë se nëse analizohen indikatorët, ato "nuk prodhojnë as zhvillim dhe as mirëqenie".
"Ne kemi thënë që kjo skemë dhe skemat e tjera, të cilat, nëse i analizojmë indikatorët, nuk prodhojnë as zhvillim dhe as mirëqenie, janë skema të cilat qeveria i përdor ose kur është në krizë popullariteti, ose gjatë pragut të ciklit zgjedhor, për blerje votash", përfundoi Rukiqi.