Rukiqi: Dorëheqja e Kurtit është rrugë për zgjedhje, të papranueshme për LDK-në mënyrat tjera
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka thënë se kryeministri, Albin Kurti duhet të japë dorëheqje për të shkuar në zgjedhje.
Rukiqi në një deklaratë për Ekonomia Online ka thënë se mënyrat tjera për të shkuar në zgjedhje janë të papranueshme për LDK-në.
Më tej, ai ka përmendur disa dështime të Qeverisë Kurti.
“Realisht kjo qeveri vazhdimisht i bën dëm vendit nuk është pyetja se a duhet të shkoj vendi në zgjedhje apo jo por si duhet të shkoj në zgjedhje ka rëndësi të jashtëzakonshme edhe kjo është fakt ai që nuk e pranon si fakt se duhet të shkoj vendi në zgjedhje, sidomos pas një qeverisje të tillë skandaloze të kësaj Qeverie është naiv në mënyrën se si e sheh politikën ajo që ne kemi thënë në rendin e gjërave pra dorëheqje, pastaj shpërbërje dhe pastaj zgjedhje. Është rendi i cili i jep përgjigje keqqeverisjes, rezultateve negative në çdo sferë, i jep përgjigje çdo skandali diplomatik, politik, çdo dështimi si është rasti me Këshillin e Evropës. Pra nuk e amniston këtë Qeveri nga bilanci jashtëzakonisht negativ i tre viteve të fundit. Format tjera si janë diskutuar e lansuar në opinion kryesisht në 10 ditët e fundit e që janë të lidhura me shpërbërjen e Kuvendit, janë amnistim, pra është një far lloj amnistie për keqqeverisjen e kryeministrit Kurti.” – ka thënë ai.