Rubio – portreti i një antikomunisti që e njeh Kosovën
Ithtar i një politike më të fortë e më pohuese të Amerikës në botë, i pezmatuar jo pak me sjelljet e pacipa të shteteve maskarenj (rogue states), Rubio është profil tejet jokonvencional për një sekretar të Shtetit. I formësuar me përvojat e tmerrshme të komunizmit kubanez, senatori i dikurshëm i Floridas shquhet për vlerat e tij komunitariste e për rigjallërrimin e Ëndrrës Amerikane. Kosovën e njohu në dy momente të shënuara: më 2018 kur FSK-ja u shndrrua në ushtri, dhe më 2021 kur Izraeli e Kosova vendosën marrëdhënie diplomatike.
Col Mehmeti
Fëmijë prej prindërish të ikur nga mynxyra komuniste në Kubë, brez i i lindur në Ëndrrën Amerikane, reputacioni prej njeriu parimor, energjik e plot ide e paraprin emrin e Marco Rubios. Nga e hëna, republikani 53-vjeçar është Sekretar i Shtetit, i 72-ti me radhë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me 99 vota pro, ish-senatori republikan nga Florida bëhet anëtari i parë i kabinetit të presidentit të ri amerikan, Donald Trump. Me rastin e nominimit të tij për këtë post, ky i fundit e kishte vlerësuar Rubion me notat më të larta si lider fort i respektuar dhe zë i fuqishëm për liri.
“Ai do të jetë Mbrojtës i fortë për Kombin tonë, mik i vërtetë për Aleatët tanë, dhe Luftëtar i patrembur që kurrë nuk sprapset përballë kundërshtarëve tanë”, pati shkruar asokohe Trumpi.
Shpresa për fuqizim marrëdhëniesh me Kosovën
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani të martën i ka dërguar përgëzime Rubios për zgjedhjen si Sekretar i Shtetit.
“Kosova pret që të punojë me ju për të fuqizuar aleancën tonë të qëndrueshme, të promovojmë vlerat tona të përbashkëta, e të adresojmë bashkërisht sfidat e kohës sonë”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në platformën sociale ‘X’.
Edhe ambasadori i Kosovës në Washington DC, Ilir Dugolli ka ndarë përgëzimet e tij në adresë të sekretarit të sapoemëruar amerikan.
“Si partnere krenare e Shteteve të Bashkuara, Kosova pret që të fuqizohet partneriteti ynë dhe të punojmë bashkërisht për t’i adresuar sfidat ndaj paqes, demokracisë, dhe sigurisë rajonale”, ka shkruar Dugolli.
Mbështetës i rikthimit të një Amerike të fortë
Me pozitën e tretë më të rëndësishme në Amerikë, sekretari Rubio vlerësohet si si një institucionalist fuqimisht pro NATO-s. Vizioni i tij është shpërfaqur të mërkurën e kaluar kur ai mbajti një fjalim përpara Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit.
Në fjalën e tij që ishte një eskurs në historinë e ShBA si akter në planin botëror, ai theksoi se Amerika pas Luftës së Dytë Botërore e kishte marrë përsipër detyrën që të krijojë një rend botëror.
“Lindën aleanca në Indo-Pacifik dhe Evropë që çuan në krijimin e stabilitetit, demokracisë dhe mirëqenies, por edhe e sprapsën një luftë kataklizmike botërore. Dhe së fundmi ra muri i Berlinit dhe bashkë me të një perandori e ligë”.
Rubio nuk ngurroi të vinte në dukje kritikat e tij ndaj faktit që, sipas tij, Amerika mjaft shpesh i ka dhënë përparësi rendit global më shumë sesa interesave të veta nacionale.
“[….] Kombet e tjera vazhuan të vepronin sipas mënyrës siç kanë vepruar e do të veprojnë gjithmonë: atë që e ndjesojnë se është në të mirë të interesit të tyre. Dhe në vend se t’i shtrohen rendit global të pas Luftës së Ftohtë, ata e kanë manipuluar atë për t’iu shërbyer interesave të veta në kurriz të intertesave tona.”
“Në Moskë, Teheran, Pyongyang, diktatorë – shtete maskarenj – po mbjellin tani kaos e trazira dhe financojnë grupe radikale terroriste, dhe pastaj ata fshihen pas fuqisë së tyre të vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara apo kërcënojnë me luftë bërthamore”, ka thënë Rubio.
Paqe jashtë, siguri brenda
Gjithnjë sipas tij, rendi global i pasluftës është jo vetëm i dalë bojesh, por edhe po përdoret si armë kundër Amerikës. Krijimi i botës së lirë, ka vijuar ai, është “i pamundur pa një Amerikë të fortë e besimplotë që përfshihet në botë, duke i vënë edhe njëherë interesat tona kombëtare mbi gjithçka tjetër.”
Ai ka thënë se politika e jashtme ka filluar të ravijëzohet qysh prej mandatit të parë presidencial të Trumpit. Sipas fjalëve të tij, “fuqia amerikane ishte një deterent për kundërshtarët tanë dhe na dha një levë në diplomaci”.
“Nuk pati luftëra të reja. ISIS-i u sakatua, Soleimani u vra, dhe dolën marrëveshjet historike Abrahams, dhe amerikanët rrjedhimisht qenë më të sigurt.”
Me rikthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, Rubio ka theksuar se votuesit e kanë mandatuar me kërkesën e tyre për një Amerikë të fortë që përfshihet në çështje botërore, por që udhëhiqet me synimin e qartë për të promovuar paqe jashtë vendit, dhe siguri e mirëqenie brenda tij.
Nën presidentin Trump, përparësia kryesore e Departamentit të Shtetit do të jenë vetë Shtetet e Bashkuara, ku ai tashmë i ka dhënë drejtim politikës së jashtme.
“Çdo dollar që e shpenzojmë, secili program që e financojmë, secila politikë që e ndjekim duhet të justifikohet duke i dhënë përgjigjje njërës nga këto tri pyetje: A e bën Amerikën më të sigurt? A e bën Amerikën më të fortë? Apo a e bën Amerikën më të lulëzuar?”
Sipas Rubios, maturia në politikën e jashtme nuk është braktisje e vlerave amerikane. Me këtë, ka shtuar ai, kuptohet që derisa Amerika qëndron si shteti më i pasur dhe më i fuqishëm në botë, pasuria e saj nuk është e pafundme dhe as fuqia e saj nuk është e pafundme.
“Duke i vënë interesat tona kombëtare mbi gjithçka tjetër nuk është izolacionizëm; por është kuptim që politika e jashtme e qendërzuar rreth interesave tona kombëtare nuk është një relik i dalëbojesh”, ka thënë Rubio duke shtuar se vendosja e interesave të Amerikës mbi gjithçka tjetër nuk ka qenë asnjëherë më e nevojshme sesa tani.
Njohja e tij me Kosovën
Gjatë këtyre viteve nuk kanë munguar as prekjet dhe as momentet kur Rubio, si senator, ka krijuar familjaritet me Kosovën. Në shkurt të 2021-s, ai e kishte duartrokitur Marrëveshjen e Washingtonit, me anë të së cilës Kosova dhe Izraeli ishin njohur ndërsjelltazi.
“Senatori Rubio duatroket për Izraelin dhe Kosovën për etablimin e marrëdhënieve diplomatike”, kishte shkruar Rubio në platformën ‘X’. “Ky është një hap i rëndësishëm për të dyja vendet ashtu sikundër edhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.”
Po kaq e rëndësishme ishte edhe një ngjarje e para shtatë vitesh, ku senatori Rubio, gjatë një takimi me presidentin e asokohshëm të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin, ishte njoftuar ndër të tjerash me procesin e shndrrimit të FSK-së në ushtri.
Në njoftimin e Zyrës së Presidencës ishte thënë se në takimin me Rubion ishte folur për bashkëpunimin e ndërsjellë, shndrrimin e FSK-së, mundësitë euroatlantike të Kosovës, si dhe shfrytëzimin e momentumit për një arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
“Në të gjitha këto çështje, Kosova ka mbështetjen e plotë si të republikanëve, ashtu edhe të demokratëve”, ishte thënë asokohe në këtë njoftim.
Një njohje jo të vogël të ecajakut të Kosovës Rubio e kishte shfaqur edhe në shtator të 2011-s. Në një fjalim të tij, ai e kishte mbështetur qasjen proaktive të Amerikës, duke e veçuar shembullin e Kosovës.
“Forcat e armatosura të ShBA kanë qenë një nga forcat më të mëdha të botës gjatë shekullit të kaluar. Ato e ndalën nazizmi dhe komunizmin si dhe forca të tjera të liga siç ishte spastrimi etnik (në Kosovë) i ndërmarrë nga serbët”, kishte thënë asokohe Rubio.
I brumosur me vlerat e komunitetit
Sekretari i Shtetit është anëtar i degës ekzekutive të qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara si dhe drejtues i Departamentit të Shtetit. Ai shërben si këshilltar kryesor i presidentit amerikan në të gjitha çështjet e jashtme. Si anëtari më i lartë i kabinetit, Sekretari i Shtetit është zyrtari i tretë më i lartë i degës ekzekutive të qeverisë federale amerikane, pas presidentit dhe zëvendëspresidentit.
I lindur më 1971 në Miami të Floridës, si fëmijë i dy emigrantëve kubanezë, Marco Rubio qysh prej fëmijërisë u brumos me vlerat e besimit, familjes, komunitetit dhe punës së ndershme.
Me sfondin e arsimimit të tij në Universitetin e Floridës dhe Universitetin e Shkollës Juridike të Miamit, Rubio ka shërbyer si komisioner qyteti në West Miami dhe folës në Shtëpinë e Përfaqësuesve në Florida. Më 2010, ai ka fituar një ulëse në Senatin amerikan.
Në punën e tij sentoriale, ai ka shprehur vendosmërinë për ta ringjallur Ëndrrën Amerikane, por edhe për të vazhduar politikat në drejtim të krijimit të vendeve të mira të punës, për fuqizimin e komuniteteve dhe mbrojtjen e amerikanëve nga Partia Komuniste Kineze.