RTK: Djali i Vuçiqit e festoi vitin e ri me Milan Radoijçiq e Veselinoviq
Radiotelevizioni i Kosovës ka raportuar në edicionin e lajmeve mbrëmë se djali i presidentit të Serbisë, Danilo Vuçiq, e ka festuar vitin e ri me dy kriminelët serbë, Milan Radojiçiq e Zvonko Veselinoviq.
Një burim i besueshëm i Televizionit ka njoftuar se në ditën e 1 janarit të këtij viti, Danilo Vuçiq, djali i presidentit serb, e ka festuar Vitin e Ri së bashku me prijësit e grupit terrorist, Milan Radojiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.
Kjo festë është mbajtur në lokalin e njohur të quajtur ‘’Hani Bani’’ në Kopaunik.
Në këtë festë i pranishëm ishte edhe Danijell Gjukiq, një prej pjesëmarrësve në sulmin terrorist në Banjskë, si dhe shok i afërt i Danilo Vuçiqit.
Institucionet e Republikës së Kosovës në vazhdimësi kanë paraqitur fakte e dëshmi të lidhjes së aktit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë me shtetin e Serbisë, ndonëse këta të fundit janë përpjekur në vazhdimësi ta mohojnë.