Rruga po dihet, kandidati për “sakrificë” është gati: Pse opozita s`po ia prish skenarin Kurit për bllokimin e vendit?
Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës. Nëse as sot nuk propozohet edhe një kandidat për president për të nisur procedurën e zgjedhjes së presidentit, vendi rrezikon të hyj në një krizë të re politike, e cila mund të zgjas së paku 6 muaj.
Për të parandaluar bllokadën e re që po e kërkon Albin Kurti, opozitës i është kërkuar të veprojë, duke e propozuar formalisht një kandidat për president.
Analisti politik Albert Krasniqi ka treguar se në këtë mënyrë do të krijohen kushte për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se një veprim i tillë do të aktivizonte rrjedhën e afatit kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e Presidentit.
“Opozita e ka vetëm edhe sot një mundësi të fundit për ta parandaluar bllokadën e radhës që po përgatitet nga Kurti, përmes krijimit të kushteve për zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo mund të arrihet duke nominuar një kandidat të dytë për President, krahas Konjufcës tashmë të propozuar, dhe duke qëndruar në sallë vetëm gjatë raundit të parë të votimit, për t’u larguar në raundet pasuese. Thirrja e një seance të jashtëzakonshme për këtë proces mund të bëhet me 40 nënshkrime”, ka shkruar ai.
Ai ka bërë me dije se nëse brenda këtij afati Presidenti nuk zgjidhet, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Në këtë mënyrë aktivizohet rrjedhja e afatit kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e Presidentit. Nëse brenda këtij afati Presidenti nuk zgjidhet, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme. Në të kundërtën, duke filluar nga nesër vendi rrezikon të hyjë në një cikël të ri bllokade institucionale, përmes manovrave procedurale dhe lojës me Gjykatën Kushtetuese, ku koha e zgjedhjeve do të diktohet nga momenti politik më i përshtatshëm për LVV-në”, ka shkruar Krasniqi.
Për të shmangur këtë bllokadë të re, në mënyrë vullnetare është vetëofruar si kandidat avokati Arianit Koci.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se është i gatshëm të dalë kundër Glauk Konjufcës, nëse opozita ja jep nënshkrime.
“Kosova nuk mund të mbetet vazhdimisht në cikël zgjedhjesh dhe bllokadash. E di se nuk ka gjasa. Por, për të shmangur zgjedhje të reja dhe bllokimin e institucioneve, po ofrohem si kundërkandidat i Glauk Konjufcës. Mos harroni: me këtë raport të forcave, nuk besoj se edhe pas zgjedhjeve të reja do të ketë ndonjë rezultat që do ta ndryshojë esencialisht gjendjen. Çka bëjmë nëse VV prap merr rezultat përafërsisht të njëjtë? A duam vazhdimisht të jemi në zgjedhje?”, ka shkruar ai, duke i ftuar deputetët e opozitës që të ia japin nënshkrimet.
“Për ta formalizuar kandidimin duhen 30 nënshkrime deputetësh. Prandaj, i ftoj deputetët, qoftë të pozitës apo të opozitës, të m’i japin nënshkrimet sot, në mënyrë që të plotësohet kushti i dy kandidatëve për zgjedhjen e Presidentit. Me vetëdije dhe vullnet të plotë po e bëj këtë hap, edhe pse e di se mund të më dëmtojë personalisht. Megjithatë, kjo është një iniciativë që vendi të mos hyjë përsëri në cikël zgjedhjesh dhe bllokadash institucionale. Interesi i vendit tim është mbi mua”, ka shkruar ai.
Megjithatë, opozita ende nuk ka dhënë shenja se mund të propozojë një kandidat për president.