Rrjeti për të Drejtat e Njeriut reagojnë për Klan Kosovën: Vendimi i Qeverisë cenon vlerat e Kushteutës
Organizatat anëtare të Rrjetit për Drejtat e Njeriut (HRN) kanë dënuar fuqishëm vendimin e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e mediumit “Klan Kosova”.
Përmes një komunikate për media, këto organizata kanë thënë se kushtetuta e Kosovës dhe legjislaconi garnatojnë lirinë e mediave dhe se vendimi i fundit cenon vlerat e Kushtetutës.
“Rrjeti për të Drejtat e Njeriut i bën thirrje gjyqësorit që në një proces të pavarur dhe të drejtë gjyqësor të miratojë ligjshmërinë në rastin Klan Kosova dhe të rivendosë vlerat demokratike.” – thuhet tutje.
Deklarata e plotë:
Si organizata anëtare të Rrjetit për të Drejtat e Njeriut (HRN), dënojmë fuqishëm vendimin e fundit të Komisionit të Ankesave i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për mbylljen e Kompanisë Tregtare "Klan Kosova" Sh.PK, një medium i pavarur.
Kushtetuta e Kosovës dhe legjislacioni në fuqi garantojnë lirinë e mediave në Kosovë. Vendimi i Qeverisë së Kosovës cenon vlerat thelbësore të Kushtetutës së Kosovës dhe është qartazi një sulm institucional ndaj demokracisë dhe fjalës së lirë. Një qasje e tillë është e papranueshme dhe është në kundërshtim me vlerat dhe parimet e shoqërive demokratike.
Rrjeti për të Drejtat e Njeriut i bën thirrje gjyqësorit që në një proces të pavarur dhe të drejtë gjyqësor të miratojë ligjshmërinë në rastin Klan Kosova dhe të rivendosë vlerat demokratike.
HRN më tutje u bën thirrje të gjithë aktivistëve, qytetarëve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar që të qëndrojnë dhe të ngrenë zërin kundër vendimeve arbitrare të Qeverisë së Kosovës.
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS)
Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës HANDIKOS
Qendra për Barazi dhe Liri - CEL Kosova
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)
Iniciativa e Re Sociale (NSI)
Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VORAE)
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)