Rrjedhin numrat e përqindjes së shqiptarëve në Maqedoni nga Enti i Statistikave - NACIONALE

Rrjedhin numrat e përqindjes së shqiptarëve në Maqedoni nga Enti i Statistikave

4 vjet më parë

nga NACIONALE

21-shi përmes burimeve të saja në ent te statistikave ka mësuar se në bazë të regjistrimit të fundit numri i shqiptarëve në Maqedoni, bashkë me diasporën është 29.5 përqind, që është 5 përqind më shumë se sa në vitin 2002

Rezultatet e Regjistrimit të Popullsisë do të prezantohen pas katër ditësh. Disa nga rezultatet për numrin e banorëve rezidentë dhe jorezidentë TV21 i ka marrë nga burime brenda Entit të Statistikave.

Sipas burimeve jo-zyrtare, në Maqedoninë e Veriut jetojnë 1.8 milionë qytetarë. Bashkë me diasporën jemi 2.1 milionë, që nënkupton se rreth 300 mijë jetojnë jashtë vendit. Numri total i qytetarëve që kanë numra amë është 2.5 milionë.

Sipas të dhënave, rreth 63 deri në 65 përqind e popullsisë prej 1,8 milionë banorësh të vendit janë maqedonas, 24,7 për qind janë shqiptarë dhe 10 deri në 12 përqind janë nga grupet e tjera etnike.

Nëse personat në diasporë llogariten si pjesë e popullsisë së përgjithshme, përqindjet ndryshojnë.

Bashkë me diasporën, sipas burimeve jozyrtare, maqedonas do të rezultojnë 60 deri në 62%, shqiptarë 29.5%, ndërsa pjesëtarë të bashkësive të tjera etnike 8 deri në 10%.

Nuk dihet nëse këto shifra ishin shkaku që ditë më parë, drejtori i Entit të Statistikave Apostoll Simovski, si me shaka të thotë se do të shpallet “armik shtetëror”.

“Aspak nuk do t’ia vë veshin kritikave, jam i vetëdijshëm. E di se muajin e ardhshëm do të jem armiku numër një shtetëror”, u shpreh me 17.03.2022, Simovski.

Mirëpo, drejtori, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, deklaroi në ClickPlus se është gjynah, ndërsa siguroi se nuk do të ketë manipulime me shifra.

“Jam i bindur se të gjitha këto pretendime do të mohohen, do të demantohen në fund të marsit kur të shpalosen rezultatet dhe dua t’i rehatoj qytetarët, le të rrinë të qetë sepse numrat janë aq sa janë, jam i kënaqur nga procesi i zhvilluar”, tha Grubi më 21.03.2022.

- Siç raporton 21-shi - , Enti i Statistikave ka marrë kërcënime nga një grup qytetarësh se do të shkaktojnë incident në ditën e prezantimit të rezultateve të regjistrimit.

Po ashtu, Enti ka tërhequr ftesën që i kishte dërguar ambasadorit rus, Sergei Bazdnikin, për të marrë pjesë në ditën e prezantimit të rezultateve. E gjithë kjo ndodhi pasi ambasadori rus konfirmoi pjesëmarrjen e tij; mirëpo, pasi mësoi për këtë, zëvendësdrejtori i Statistikave, Selami, e njoftoi zëvendëskryeministrin e parë Grubi dhe kryeministrin Kovaçevski, i cili më pas kërkoi nga drejtori i Entit Simovski që të gjejë një mënyrë që ambasadori rus të mos marrë pjesë në ngjarje ku do të prezantoheshin rezultatet.

Një letër i është dërguar Ambasadës Ruse, e shkruar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku kërkohet që ambasadori Bazdnikin të mos marrë pjesë në prezantimin e rezultateve. Për këtë është pyetur drejtori i Entit për Statistikë, Apostol Simovskin, i cili ka konfirmuar se “të gjitha ambasadat janë ftuar sipas protokolleve, para se shteti të ngrijë marrëdhëniet me atë ruse”. "Kur ndodhi kjo, ne e hoqëm ftesën," tha Simovski.

Lajme të ngjashme