Rritje për 2.8%: Kosova e mbyll shkurtin me deficit tregtar prej 464 milionë eurosh
Kosova e ka mbyllur muajin shkurt 2026 me deficit tregtar në rritje, duke rikonfirmuar varësinë e lartë strukturore nga tregjet e huaja.
Gjatë këtij muaji, eksporti i mallrave arriti vlerën e 78.1 milionë eurove, ndërsa importi kapi shifrën e 542.1 milionë eurove. Si pasojë, deficiti tregtar u thellua në 464.0 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 2.8% krahasuar me deficitin prej 451.4 milionë eurosh të shënuar në shkurtin e vitit 2025.
Ndonëse eksportet shënuan një rritje dyshifrore prej 16.1% në raport me një vit më parë, kjo normë nuk mjaftoi për të zbutur çekuilibrin e thellë tregtar, pasi edhe importet pësuan një rritje të konsiderueshme në vlerë absolute, duke u zgjeruar me 4.5%.
| Treguesit Tregtarë (Shkurt 2026) | Vlera |
|---|---|
| Eksporti | 78.1 Milionë € |
| Importi | 542.1 Milionë € |
| Deficiti Tregtar | - 464.0 Milionë € |
Përbërja e mallrave të tregtuara nxjerr në pah se baza prodhuese e vendit mbetet e kufizuar dhe ende pa zgjerim të ndjeshëm.Pjesën më të madhe të eksporteve në shkurt 2026 e përbënin metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 23.5 për qind, pasuar nga plastika, goma dhe artikujt prej tyre me 11.8 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11.3 për qind, si dhe produktet minerale me 9.8 për qind.
Në anën tjetër, importi mbetet shumë më i gjerë. Në shkurt 2026, pjesën më të madhe të importeve e përbënin produktet minerale me 12.2 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12.1 për qind, mjetet e transportit me 11.8 për qind, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 11.5 për qind, si dhe metalet bazë me 9.9 për qind, duke ekspozuar varësinë vetëm për energji e lëndë bazë, por edhe për mallra industriale, teknologjike dhe të konsumit të përditshëm.
Në rrafshin gjeografik, tregtia e Kosovës vazhdon të gravitojë rreth partnerëve të saj tradicionalë. Rreth 47.6% e eksporteve totale iu drejtuan vendeve të CEFTA-s, ndërsa 32.7% penetruan në tregun e Bashkimit Evropian.
Në anën e kërkesës, Bashkimi Evropian mbetet burimi kryesor i importeve me 43.5% të totalit. Vlen të theksohet gjithashtu pesha e lartë e furnitorëve nga Azia, ku prin Kina me 12.8% e totalit të importeve dhe Turqia me 11.2%.
Kujtojmë se Kosova gjatë vitit 2025 eksportoi mallra në vlerë prej 942.1 milionë eurosh dhe importoi 7.05 miliardë euro. Deficiti tregtar vjetor arriti në 6.11 miliardë euro, ndërsa shkalla e mbulimit të importeve me eksporte ra në 13.4 për qind.