Rritja e penzioneve për 20%, gozhdohet e dyshohet vendimi i Kurtit: “Rezultati katër vjeçar, 20 euro”, "Blerje votash"
“Vitin e kaluar kemi pasur rritje të ndjeshme të paprecedentë të pagave në sektorin publik...sivjet pensionet”.
Kështu e kompletoi mesazhin e vet sot kreu i qeverisë, Albin Kurti, teksa njoftoi për rritje të gjithëmbarshme të pensioneve prej 20%.
100 milionë euro implikimi buxhetor dhe mbi 304 mijë përfitues, tha Kurti dhe minstri i tij i financave, Hekuran Murati në një konferencë për media.
Rritja nis që nga ky muaj, ndërsa për ato të kategorive të luftës nga janari i vitit të ardhsëm – koincidentalisht një muaj para zgjedhjeve parlamentare.
Murati bëri të ditur se janë në program e përputhshmëri edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar me këtë rritje pensionale.
Nga 100 euro pension bazik i moshës, tash plus 20 euro; ndërsa ato kontributpaguese (1,2,3,4) variojnë në 36 euro, 39 euro, 42 euro, 53 euro.
Për më tepër kjo rritje u bë mu në ditën kur u hoq ndalesa e mallrave serbe e vendosur në vitin e kaluar: ndonëse u tha se është bërë vetëm në një pikëkalim kufitar.
Vendimi u përcoll me brohorimë PR-i, si Mefail Bajqinovci, që thanë se kjo demonstron “mbështetjen maksimale” (Aha, 20 euro!) të Qeverisë së Kosovës ndaj pensionistëve.
‘Tentativë për me ble vota’.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami e pa kryekëput si “tenativë për me ble vota” për çka tha se inflacioni (rritja e çmimeve) vetëm gjatë qeverisjesë së Kurtit ka kapërcyer në 22%. Krejt kjo në kohë elektorale, tha ajo.
“Nëse Albini Kurti e Hekuran Murati do të brengoseshin për qytetarë, ata pensionet dhe pagat do t'i indeksonin për normën e inflacionit që në vitin 2022, por kjo nuk ndodhi sepse atëherë nuk kishte zgjedhje. Rritja e pensioneve sot 20%, nuk është e mjaftushme sepse vetëm norma e inflacoionit që ka ndodhë gjatë qeverisë Kurti është 22%”, shkroi Bajrami.
‘Qe...katër vjet barabartë me 20 euro’
Ekonomisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, vendimin e sotëm e lexoi për shëmbëlltyrë të (pa)rezultateve katër vjeçare të qeverisë.
“4 vite pritje me këtë qeveri, dyfishim i çmimeve për shumicën e produkteve bazike, dhe në fund rritje 20 euro! Ky është rezultati 4 vjeçar i kësaj qeverie në përmirësimin e jetës së pensionistit! Këta njerëz nuk kanë pikë ndjeshmërie ndaj kushteve në të cilat sot jetojnë pensionistët!”, shkroi ai.
“Madje edhe ky vendim ndoshta nuk do të merrej, nëse Albin Kurtit nuk do ti nevojitej shpërqendrimi i vëmendjes nga vendimi për lejimin e hyrjes së mallrave serbe!”, shkroi ai.
Mallrat serbe, heqja e ndalesës...
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, e pa krejt të ndërlidhur me heqjen e ndalesës ndaj mallrave serbe: “Spin i dobët për efekte elekorale dhe lehtë i lexueshëm”.
“Veprimi 1: Largon ndalesen për mallrat serbe Veprimi 2: Rritje simbolike e pensioneve, që nuk e mbulon as efektin e rritjes së çmimeve”.
“Rritja simbolike e pensioneve nuk po bëhët për të adresuar gjendjen e rëndë të pensionistëve, por për të larguar vëmendjen nga zbrapsja për çështjen e largimit të ndaleses për mallrat serbe”, shkroi Rukiqi.
Njëjtë e pa edhe gazetari Vehbi Kajtazi: rritje të penzioneve mu në ditën e heqjes së ndalesës së mallrave serbe.
“Diten qe lejon hyrjen e mallrave serbe ne Kosove, i rrit pensionet 20 per qind. I fort je shoku Albin. Demek, tash folni per pensione e jo per mallrat serbe. I forte je shoku Albin. Ia kalon edhe Nasradin Hoxhes”, shkroi Kajtazi.