Rritja e pagave, opozita kritikon Kurtin: ‘Qeveri e arnimeve’, ‘hajgare me dinjitetin e shërbyesve publikë
Paralajmërimi i kryeministrit Albin Kurti se me Projektligjin për Buxhetin për 2025 do të ritën pagat për zyrtarët publikë, ka nxitur reagime të shumta në vend. Opozita ka kritikuar shefin e ekzekutivit për një veprim të tillë disa muaj para mbajtjes së zgjedhjeve.
Përfaqësuesit e partive opozitare kanë bërë me dije se ky është një arnim i Qeverisë Kurti.
I pari që ka reaguar ka qenë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai ka bërë me dije se në javën e parë të qeverisë së tij koeficienti i pagave do të bëhet 150 euro.
“Po e përsëris, që në javën e parë të qeverisjes sime, koeficienti i pagave do të bëhet 150 euro! Ndryshimi po vjen!”, ka shkruat Abdixhiku në profilin e tij në “Facebook”.
Edhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa, ka reaguar ndaj paralajmërimit të kryeministrit Albin Kurti për rritjen e pagave të shërbyesve publikë.
Ai ka bërë me dije se me këto veprime Qeveria Kurti po tregon se është qeveri e arnimeve.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se nuk përmirësohet standardi i jetesës duke u arnuar me nga gjysmë koeficienti.
“Qeveri e harrnimeve! Një qeveri që tërë mandatin e ka shpenzu tu shpërnda lëmoshë, po e përfundon mandatin duke premtu vazhdim të lëmoshës! Nuk përmirësohet standardi i jetesës duke u harrnuar me nga gjysëm koeficienti! Tani është koha të ecim përpara me Kryeministrin Bedri Hamza, për përmirësim të vërtetë të jetës në Kosovë!”, ka shkruar Mustafa.
Kurse, Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, ka vlerësuar se kjo është një shaka me dinjitetin e shërbyesve publik.
“Hajgare me dinjitetin e shërbyesve publik. 55 euro rrritje në Janar 2025, 110 euro rritje në Korrik 2025. Në përqindje, vetëm 9.65% rritje në Janar 2025, ndërsa 19.30% në Korrik të vitit 2025. Mos të harrojmë, që rritja e çmimeve në 3 vitet e fundit ka qenë 22.5%, pra rritja e paralajmëruar e pagave, nuk i kompenzon as shpenzimet e rritura nga rritja e çmimeve. Me ndryshimin që po vjen, në ditën e parë të qeverisjes, me Lumirin Kryeministër, koeficienti bëhët 150”, ka shkruar Rukiqi.
Sa u rriten pagat?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka bërë me dije se me Projektligjin për Buxhetin është parapara rritje e pagave për shërbyesit publikë.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se rritja është bërë në përputhje me rritjen ekonomike.
“Tani në vitin 2025 do të jetë viti i tretë që i rrisim pagat. Po rriten pagat secilin vit, në përputhje me atë që e parasheh Ligji për financat publike. Pra rritja e pagave duhet të jetë në linjë me rritjen ekonomike....Duke pas parasysh nevojën për të mbështetur më së shumti ata që kanë paga më të ulëta, ne kemi shkuar në maksimumin e lejuar në rritjen buxhetore për pagat...Ta rrisim koeficientin për një njësi. Vlera e koeficioentit mbetet e njëjtë, por rriten njësitë”, ka thënë Kurti.
Ai ka treguar se pagat e shërbyesve publikë do të rriten 55 euro në janar.
“Të gjithë të punësuarve në sektorin publik pagat do të rriten 55 euro nga janari dhe 110 euro nga korriku. Kostoja e plotë vjetore e kësaj rritje do të jetë 120 milionë euro”, ka thënë Kurti.
Kurse, Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë me dije se Projektligji për Buxhetin për vitin 2025 është gati.
Ai ka treguar se ky projektligj nesër mund të miratohet në Qeverinë e Kosovës dhe më pas të dërgohet në Kuvend.
“Ekipet janë duke e finalizuar ligjin e buxhetit dhe besoj sapo ta kemi gati, ditën e nesërm mund të thirret mbledhja për ta proceduar në Kuvend, e pastaj janë procedurat që parasheh Kuvendi”, ka thënë Murati në konferencën për media, ku është bërë e ditur rritja e pagave për zyrtarët publikë.
Ai ka thënë se Qeveria Kurti e ka ende shumicën në Kuvendin e Kosovës për të miratuar projektligjin në fjalë.
“Sa i përket numrave, ne i kemi numrat, pra e kemi ende shumicën në Kuvend, megjithë lëvizjet e fundit që kanë ndodhur. Por, ligji i buxhetit duke qenë një ligj tepër i rëndësishme dhe jetik për qytetarët e vendit, për shërbyesit publikë, për pensionistet, pra nuk do të bëhet pjesë e beteje politike apo ndonjë fushate zgjedhore, sepse është ligj që duhet kalohet me patjetër në mënyrë që të ketë vazhdimësi në funksionimin e shtetit”, ka thënë Murati.
Kryeministri Albin Kurti sa ishte në opozitë kritikonte qeveritë e kaluara se vendimet për rritje të pagave i kanë marrë në kohë të fushatave zgjedhore.
Tani ai ka paralajmëruar rritje të pagave për zyrtarët publikë tre muaj para mbajtës së zgjedhjeve nacionale.
Shefi i ekzekutivit ka bërë me dije se pagat me rritje zyrtarët në fjalë do t`i marrin në muajin janar, ndërsa zgjedhjet e ardhshme nacionale do të mbahen më 9 shkurt të vitit 2025.