Rritet numri i votuesve jashtë vendit në zgjedhjet lokale krahasuar me ato në 2021, njofton KQZ
Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se numri i votuesve jashtë vendit të regjistruar për të votuar me postë në zgjedhjet lokale ka kaluar numrin e zgjedhjeve të kaluara lokale: për mbi 5 mijë votues.
“Numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit është më i ulët se në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të 9 shkurtit 2025. Megjithatë, sipas të dhënave të deritashme është tejkaluar numri i votuesve të regjistruar në Zgjedhjet Lokale të vitit 2021, që ishte mbi 15,500”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Prej më shumë se një muaji, në shtatë ditë të javës, dhjetëra zyrtarë të shërbimit votues, kanë shqyrtuar aplikimet për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës dhe brenda një kohe të shpejtë kanë kthyer përgjigje për çdo aplikues. Nga data 23 korrik, kur ka filluar procesi i regjistrimit, dhe deri më 24 gusht, përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar 26,480 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 21,291, ndërkaq janë refuzuar 5,186. Afati për regjistrim do të mbyllet këtë të premte, më 29 gusht”, tha Elezi.