Parlamenti i Malit të Zi rrëzon Qeverinë Abazoviq
Dritan Abazoviqi ka humbur mocionin e mosbesimit në Parlamentin e Malit të Zi.
Pas një debati të gjatë - mbi 12 orë - dhe shumë të tensionuar, Parlamenti i vendit tonë fqinj ka votuar pro mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Abazoviq.
Për shkarkimin e kësaj qeverie votuan 50 deputetë, derisa vetëm një votoi kundër. Kundër Abazoviqit ishin rreshtuar edhe partitë shqiptare.
Nismën për të rrëzuar Qeverinë Abazoviq e kishin paraqitur 36 deputetë - përfshirë edhe partnerë koalicioni qeveritar - disa orë pasi kryeministri i parë me origjinë shqiptar enë Mal të Zi kishte nënshkruar Marrëveshjen Themelore me Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe.
Abazoviq përmes atij nënshkrimi kishte humbur edhe mbështetjen e partnerëve qeveritarë, duke u akuzuar edhe për tradhti të interesit shtetëror nga ana e Milo Gjukanoviqit, president i vendit.
Po ashtu, kryeministri Abazoviq ishte pretenduar se ishte afruar me pushtetin e presidentit serb Vuçiq në Beograd, përkundër që ardhja e tij në pushtet si kryeministër kishte ndodhur jo përmes partnerëve të mëhershëm qeveritarë nga partitë pro-serbe.
Gjatë ditës së sotme ai ka shpresuar që të formojë koalicion qeveritar pikërisht me këto parti pro-serbe, me të cilat fillimisht kishte rrëzuar Gjukanoviqin nga pushteti për të fituar edhe famë rajonale si politikan.
“Prej sot, situata është më e lehtë për ne – ky vend ose do të udhëhiqet nga kriminelët ose nga qytetarët. Ne jemi në anën e qytetarëve,” - u shpreh para gazetarëve pas rrëzimit z. Abazoviq.
Ai kishte qenë edhe zv. Kryeministër i këtij shteti.
Nuk dihet nëse presidenti i Malit të Zi do t'i ofrojë të drejtën një shumice të re për formimin e Qeverisë ose nëse do të ketë Qeveri teknike deri në zgjedhjet e reja.
Kush është Dritan Abazoviq?
Dritan Abazoviq lindi në Ulqin, më 25 dhjetor të vitit 1985, në një familje shqiptare. Pasi mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në Ulqin, Abazoviq vazhdoi shkollimin në Sarajevë, nga ku diplomoi në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës. Gjatë studimeve, ai u bë fitues i "Distinktivit të Artë" dhe "Kartës së Artë" të Universitetit të Sarajevës, çmime që ndahen për studentët e dalluar.
Ai magjistroi në vitin 2008 në Fakultetin e Shkencave Politike, Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Malit të Zi. Në vitin 2019, Abazoviq, përfundoi doktoraturën në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, me temën e doktoraturës së titulluar “Politika globale – Aspekte Etike të Globalizimit”.
Për një kohë të gjatë, ai ishte bashkëpunëtor i organizatave joqeveritare në fushën e të drejtave të njeriut, atyre euroatlantike dhe aktivizmit qytetar. Ai ishte i angazhuar në projekte që kishin të bënin me promovimin e multikulturalizmit në zonat pas konfliktit të ish-Jugosllavisë.
Si pjesëmarrës në programe, konferenca dhe seminare ndërkombëtare, ai u specializua në disa programe studimi. Nga viti 2005 deri në vitin 2007 ka qenë asistent në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës. Në vitin 2009, ai përfundoi kursin për Studimin e Paqes (Kërkimet e Paqes) në Universitetin e Oslos. Në të njëjtin universitet ka kryer seminarin për zhvillim profesional (Zhvillimi Profesional).
Në vitin 2011, ai u zhvendos përkohësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa merrte pjesë në programin e Departamentit të Shtetit në Uashington D.C.
Për dy vite, ai udhëhoqi si drejtor ekzekutiv kompaninë lokale të transmetimit, "Teuta", e cila është agjenci e lajmeve në gjuhën shqipe.
Nga viti 2010 deri në vitin 2012 ka qenë drejtor ekzekutiv i OJQ-së “Mogul” në Ulqin.
Saktësisht 12 vite më parë, ai botoi librin e tij të parë “Kultura kozmopolitane dhe drejtësia globale”. Nga viti 2010 punoi si mësues në shkollën e mesme në Ulqin, duke dhënë mësim në lëndën sociologji e kulturës, komunikimit dhe historisë së fesë.
Abazoviq flet rrjedhshëm gjuhët shqipe, serbe, dhe angleze.
Para marrjes së detyrës si kryeministër i Malit të Zi, Abazoviq është është zotuar se do të luftojë korrupsuionin në vend e do të angazhohet në iniciativa të cilat i konsideron si të mira për Malin e Zi, ndër to edhe “Ballkani i Hapur”.