“Rregullorja e BQK-së e panegociueshme nga politikanët”: Nesër dinari temë në Bruksel me Petkoviqin, nga Kosova s’dihet kush shkon - NACIONALE

“Rregullorja e BQK-së e panegociueshme nga politikanët”: Nesër dinari temë në Bruksel me Petkoviqin, nga Kosova s’dihet kush shkon

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Çështja e dinarit “është e panegociueshme nga politikanët", ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke iu referuar rregullores së amandamentuar të Bankës Qendrore e cila ndalon valutën serbe si mjet të ligjshme pagese në Kosovë, duke e dhënë si “vendim të pavarur” për të cilën “nuk e kam pasur idenë” që po mirret nga BQK-ja – ndonëse, konsensualisht, dihet që ky institucion është thuajse zgjatim i Lëvizjes Vetëvendosjes në organet e larta vendimmarrëse.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka njoftuar se takimet që kishte me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndaras – saktësisht për çështjen e dinarin – “fakeqësisht, nuk patën sukses”.

Në anën tjetër, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dërguar ftesa palëve për një takim të nesërmen (e martë, 27 shkurt) në lidhje me çështjen e valutës serbe – për çka, kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi, ka njoftuar se ka refuzuar ftesën; por duke mos e mohuar pjesëmarrjen e dikujt nga ana e palës kosovare vetëm se jo në dimenzionin politik.

Zëdhënësi i BE-së pati njoftuar ditë më parë se ftesa e Lajçakut ka ardhur si rrjedhojë e takimeve “fatkeqësisht të pasukseshme” që pati me Kurtin dhe Vuçiqin, por se nuk e ka specifikuar se kush duhet të merr pjesë dhe se kjo gjë u takon palëve të vendosin.

Kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviq, ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij me një grup eskpertësh serbë në takimin e së nesërmes të ftuar nga Miroslav Lajçak.

Nacionale ka provuar të kontaktojë zëdhënësin e BE-së, Peter Stano, për të konfirmuar pjesëmarrjen e palës kosovare si dhe gjithashtu BQK-në rreth eventualitetit të dërgimit të ndonjë përfaqësuesi të tyre; por deri më tani nuk kemi pranuar përgjigje.

Opozita kundër negocimit të çështjes së dinarit: “Punë e brendshme e Kosovës”.

Qysh në nisjen e këtij vendimi, opozita kosovare ka shprehur brengën e tyre se mos kjo çështje e brendshme e Kosovës përfundon në tryezën e dialogut të Brukselit, dhe kësisoji duke përfunduar sërish në koncesione dhe kompromise nga pala kosovare.

Konsensusi i plotë opozitar është se çështja nuk duhet të diskutohet në nivel politik.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, në një intevistë për Kosovapress, madje e dha për punë të kryer se tashmë qeveria – duke provuar të korrë poena politike mbi baza “populliste” – veçse e ka bërë temë në dialog me Serbinë një çështje të brendshme të Kosovës.

Po t’i lihej në dorë BQK-së ose po të mos përzihej qeveria me tendenca që të nxjerr këtë çështje me populizëm si një sukses të qeverisë, kjo do të zgjidhej më mirë. Qeveria s’ka bërë asnjë përpjekje kreative për ta trajtuar këtë çështje. Për më tepër e ka ngritur çështjen e dinarit si një çështje të dialogut”, ka thënë Pajaziti.

Kjo qeveri ka përgjegjësi të plotë që dinarin, e bëri temë të tillë, e cila po i kushton qeverisë dhe neve si vend. Këta sikur edhe herët të tjera, kanë hyrë në tema pa një marrëveshje me partnerët, ata që ne kemi pas vazhdimisht koordinim të plotë dhe pastaj tërheqja na ka kushtuar shumë”, shton ai.

Lajme të ngjashme