Rrahja e mërgimtarëve me Policinë e Kosovës, nisin reagimet
Disa pamje të publikuara gjatë ditës së sotme shfaqnin disa persona, për të cilët thuhet se janë mërgimtarë, duke u përleshur me Policinë e Kosovës në Merdarë. Tashmë kanë nisur reagimet, ku një pjesë e madhe e opinionit publik, ka kritikuar qytetarët nga diaspora.
Tre persona janë intervistuar pas sulmit të Policisë në Merdarë, ku sipas zëdhënëses Flora Ahmeti, dy prej zyrtarëve policorë kanë pësuar edhe lëndime.
“Sot rreth orës 10:00, në Merdarë ka ndodhë një incident, ku patrulla e policisë është sulmuar nga persona të dyshuar. Në këtë rast lëndime trupore kanë pësuar dy zyrtarë policor. Pas vënies nën kontrollë të situatës dhe shoqërimit në stacion të tre personave të dyshuar, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisë një hetim për veprën Sulm ndaj personit zyrtar.” – ka thënë ajo.
Pas këtyre zhvillimeve, pati shumë reagime. Një shkrim në Facebook në lidhje me këtë situatë, e bëri edhe gazetari Valon Syla, i cili ka pasur edhe më herët kritika për qytetarët që jetojnë jashtë vendit.
“I keni parë besoj pamjet virale te përleshjes se gërrnaçave me polici, sepse dojnë me hi pa rend... kjo tregon se sa në esencë e respektojnë Kosovën. Por, si të dalin në Serbi, maspari ja nalin muzikës zanin, e tani rrinë pip, deri në Gjermani, a ku jetojnë nëpër Evropë...” – ka thënë ai.
Ndërkohë, gazetari i Nacionales, Berat Buzhala, përmes një shkrimi në Facebook është shprehur si vijon:
“Une nuk mendoj qe mergimtaret jane ma te keqij se na. Ama kur i ni politikanet tuj thane "pjesa ma e mire e kombit" me vjen me vjelle, se e di qe edhe ai qe e thote nuk beson n'cka po thote”.
Edhe gazetari dhe analisti, Ilir Mirena ka bërë një reagim rreth këtij zhvillimi, i cili ka lënë të kuptohet se persona të tillë, sapo të kalojnë kufirin në Merdarë, ndryshojnë qasje, pra gjatë kalimit nëpër Serbi.
“A me policine tone Mic Sokola” – ka shkruar ai.
Më vonë ndërkaq, u publikua edhe një video tjetër në “RTV Dukagjini”. Aty shihet derisa njëri nga mërgimtarët del nga vetura dhe i afrohet një zyrtarit policor.
Ai po ashtu, dëgjohet duke thënë fjalët “hajde rrehum”.
Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave, një situatë e tillë ka ardhur pas kolonave të gjatë në Merdarë.
Vlen të theksohet se shumë qytetarë nga diaspora kanë qëndruar këto ditë në Kosovë për festat e fundvitit. Me përfundimin e tyre, ata po kthehen në vendet ku jetojnë, gjë që ka shkaktuar edhe kolona të gjata nëpër pika kufitare të ndryshme.