Rohde me gjuhë të hollë noton në kushtin e trashë të “miratimit të Statutit të Asociacionit” për KiE - NACIONALE

Rohde me gjuhë të hollë noton në kushtin e trashë të “miratimit të Statutit të Asociacionit” për KiE

3 javë më parë

nga NACIONALE

Me një gjuhë të hollë prej diplomati, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, notoi në premisën ditë-e-më-të-trashë të asaj që po konkretizohet të jetë kushti i shumëkujt për votën finale pro/kontra anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ditë më parë Nacionale raportoi duke u thirrur në burime diplomatike se Gjermania – një nga shtytëset më të mëdha para të Kosovës në KiE – do t’i qëndrojë miriatimit të draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të populluara me shumicë serbe si kusht për të votuar në instancën përfundimtare: në Këshillin e Ministrave.

Rohde duke folur për televizionin publik artikuloi atë që ka thënë qëmoti: jo realizimi i tërësishëm i Asociacionit, por hapin drejt saj (i.e) miratimin e draft-Statutit për ta dërguar për rishikim kushtetues.

Tash na nevojitet një shumicë për këtë çështje dhe Qeveria nuk guxon të rrezikojë, sepse aty kemi, në Këshillin e Ministrave, kemi të bëjmë me secilën votë për ta çuar përpara aplikimin, për ta marrë Kosovën në Këshillin e Europës dhe secila votë është e rëndësishme, sepse aty ka edhe shtete anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën dhe të cilat, vota e tyre dihet se çfarë mund të jetë”, tha Jorn Rohde.

Prandaj Kosova duhet të lëvizë. Dua qartas ta them se nuk bëhet fjalë për realizimin e Asociacionit, por për t’u bërë hapa të vazhdueshëm, për të mos u ndalur”, tha Rohde në një intervistë në RTK.

Ditë më parë raportuam se qëndrimi gjerman – dhe indiciet janë që edhe shtete të tjera të QUINT-it – është përkrahje vis-a-vis miratimit të draft-Statutit.

Jo zbatim i plotë i Asociacionit”, vërente burimi, por “progres në proces...dërgimi i propozimit të BE-së për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese”.

Madje në atë se qëndrimi gjerman për mbështetjen me votë në instancën e fundit vendimarrëse të KiE-së ka të bëjë me marrjen e këtij hapi të parë drejt Asociacionit, bashkëbiseduesi ynë na pati thënë se ka qenë kështu ka herë.

Progresi në lidhje me ASM-në ka qenë kërkesë qëmoti për anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe është komunikuar vazhdimisht (nga gjermanët)”.

Megjithatë, Nacionale pati dërguar pyetje ambasadës gjermane për të njëjtën çështje në fjalë e të formuluar rreptësisht në po të njëjtat premisa, se a do të jetë ose jo miratimi i draft-Statutit kusht që Gjermania të votojë për-ose-kundër Kosovës në KiE, por të njëjtët nuk janë përgjigjur; çka përbën një thyerje empirike të praktikës së ambasadës gjermane që s’përtojnë të konfirmojnë apo demantojnë në një kohë fare të shkurtër në pyetjet e mediave.

Edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka dhënë indikacione që progresi drejt Asociacionit është i lidhur me votimin përfundimtar ose jo të Francës për Kosovën në KiE.

Miratimi i draft-Statutit është edhe implicit pjesë e raportit të Bakoyanis

Në raportin (Opinionin) e Bakoyanis ajo e shkruan prerazi se vetë aplikimi i Kosovës, përkatësisht vetë konsiderimi nga KiE i aplikimit të Kosovës, “për herë të parë në histori të Organizatës, është bërë me lidhje direkte me një proces politik, i cili është në fascilitim nga një organizatë tjetër ndërkombëtare (BE)”.

E ky proces politik, thotë Bakoyanis, është Marrëveshja e Bruksel/Ohrit; “rëndësia e së cilës nuk mund të theksohet sa duhet” teksa i referohet Nenit 7 “të vetëmeanxhimit” për komunitetin serb krahas Nenit 4 nga i cili është argumentuar procedimi i aplikacionit për këtë anëtarësim në rend të parë.

Çka është më goditëse, Bakoyanis në pikën 39 ku ajo u drejtohet në raport Këshillit të Ministrave, përkatësisht vendimmarrësve finalë – ajo u drejtohet atyre që progresi drejt themelimit të Asociacionit “duhet të qëndrojë dukshëm lart në konsiderimim e ardhshëm të Komitetit të Ministrave për t'u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”.

Në këtë lexim, duke e dhënë (mos)suksesin për anëtarësim në KiE të lidhur me (mos)suksesin në zbatim të Marrëveshjes së Bruksel/Ohrit, pikturohet qartë që Asociacioni veçse është ndjeshëm kusht kur raporti përfundimisht të hedhet në votim në Këshillin e Ministrave.

Lajme të ngjashme