Rilind Gërvalla e pranon se e përdori rrejshëm AKI-në në sulmin ndaj Nacionales, kërkohet dorëheqja e tij
Drejtori i Televizionit Publik (RTK), Rilind Gërvalla, e ka pranuar gabimin e tij për përfshirjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) për lajmin kundër Nacionales dhe Periskopit. Pranimi i fajit ka bërë që të kërkohet dorëheqja e tij nga posti që mban.
Njohësit e rrethanën politike kanë bërë se tani Gërvalla duhet të jap llogari dhe të jap dorëheqje.
Ata kanë vlerësuar se qëndrimi i tij në këtë post do të shkaktonte pasoja më të mëdha.
Politologu Petrit Zogaj ka vlerësuar se tani e vetmja rrugë për Gërvallën është dorëheqja
“Nese ky militant i pushtetit, edhe pas ketij skandali vazhdon me qene pjese e RTK-se, atehere une nuk do te isha befasu nese gazetaret e Kosoves do te eliminoheshim fizikisht ne pike te dites e ne mes sheshit te Prishtines dhe njerezit me e pa si dicka normale. Nese 900 punetoret e RTK-se nuk protestojne qe ky injorant i dobishem per pushtetin me dhene doreheqje, atehere te gjithe behen pjese e nje skeme kriminale te pushtetit kunder medias dhe mendimit te lire ne Kosove.”, ka shkruar ai.
Më tej, ai ka kërkuar nga AKI-ja që të tregojë nëse ka qenë pjesë e kësaj skeme.
“Po ashtu, nese AKI nuk e konfirmon ne kominsionin perkates ne Kuvend qe asnjehere nuk ka qene pjese e kesaj skema te militantit te RTK-se, e gjithe struktura udheheqese e saj duhet me dhene doreheqje dhe te ndiqen penalisht per kete.” – ka shkruar ai në Facebook.
Edhe analisti Dukagjin Gorani ka kritikuar drejtorin e RTK-së, Rilind Gërvalla.
Sipas Goranit, Gërvalla nuk është i vetëdijshëm për postin që ka.
“Për z Gërvalla nuk ekziston pikë dalimi brenda shërbimit të zbulimit, rolit dhe etikës profesionale të gazetarisë, shërbimit publik, televizionit publik. Per ta është pjesë e një lufte të pamësirshme politike. Kjo ka nis si sulm denigrues ndaj dy mediumeve”, ka thënë Gorani në "Pressing".
Çka tha drejtori i RTK-së?
Drejtori i Televizionit Publik (RTK) Rilind Gërvalla dje ka pranuar gabimin e tij për përfshirjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) për lajmin kundër Nacionales.
Një gjë e tillë ka ardhur pas publikimit me audio të qëndrimit të tij që kishte mbajtur në mbledhjen e Bordit të RTK-së në muajin korrik, pasi RTK-ja kishte transmetuar lajmin e rremë të Slobodna Bosna kundër Nacionales dhe Periskopit.
Në këtë mbledhje, siç ka raportuar kohë më parë Nacionale, Gërvalla thotë se lajmi në fjalë i është sjell nga AKI-ja.
Drejtori i TV në RTK i dërguar nga Vetëvendosje, Rilind Gërvalla, ka pranuar se e ka përdorur rrejshëm AKI-në në lajmin ku sulmoheshin ashpër Nacionale e Periskopi, për gjoja media të blera nga shteti serb.
“Po e përsëris, AKI nuk ma ka përgatitë e as derguar lajmin, sepse ai ka qenë i botuar në një medium tjetër dhe nëpër mediume tjera që nga mëngjesi, pra ka qene lajm publik. Unë krenohem për bashkëpunimin me organet e sigurisë dhe intelegjences dhe këtë e kam bërë që nga fillet e mia në RTK-së dhe do ta vazhdoj kontributin tim!”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Më tej, ai është kapur në publikimin e audio-incizimit ku dëgjohet qartë duke përfshirë AKI-në në rastin e shkrimit kundër Nacionales.
“Presioni publik më ka detyruar që ta arsyetoj gabimin që e kam bërë duke përmendur AKI-në dhe kam kërkuar dhe ripërsëris kërkimfaljen. Njerëz jemi dhe gabojmë, e si te mos gabohet kur thirresh nga nje pjese e Bordit, mbi kater here brenda pak oresh, si para Prokurorise, per nje ceshtje qe baze ka patur parimin e citimit, e tani e gjitha po del se ai presion mbi mua paska qene qe te regjistrohet pa autorizim nje deklarate e imja nen presion.” – ka shkruar në Facebook.
Ai ka tentuar të arsyetohet por në asnjë rast nuk ka shprehur vullnet për të dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorti të TV-së në RTK, pasi dëmit të shkaktuar ndaj Nacionale.
Tutje, Gërvalla ka dhënë edhe disa këshilla teksa ka shprehur edhe ca emocione të patriotizmit.
“E kuptoj parafushaten e hershme, por mbi fushatat dhe partitë është ruajtja e vendit nga sulmet hibride qe ka bere dhe po i ben Serbia e Vucicit. Uroj qe po si une ne rastet e mehershme qe i kam permendur ne pergjimin e paautorizuar, njejte edhe mediumet tjera do te bashkepunojne me organet e intelegjences, asnjehere per vete, gjithmone per te miren e atdheut.” – ka shkruar ai.