Republika e Kosovës vendos marrëdhënie diplomatike me Timorin Lindor
Ministria e Punëve të Jashtme sot ka njoftuar se Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Timorin Lindor.
Republika e Kosovës dhe Republika Demokratike e Timorit Lindor nënshkruan marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Marrëveshja u nënshkrua në New York, në ambientet e Misionit Permanent të Republikës Demokratike të Timorit Lindor pranë OKB-së.
Timori Lindor është në Azinë Juglindore më një popullsi prej 1.3 milionë banorë dhe 15,007 km katrorë. Ka qenë koloni Portugeze deri në vitin 1975, që nga viti 1975 e deri në vitin 1999 ka qenë nën sovranitetin e Indonezisë.
Më 30 gusht 1999, pas mbajtjes së referendumit të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, Timori Lindor shpalli Pavarsinë.
Njohjen e parë e kishte më 20 maj 2002 nga Kina të pasuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në komunikatën e përbashkët thuhet se, marrëdhëniet diplomatike arrihen me qëllim të forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme, si në atë politike, ekonomike, tregtare, kulturore dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët, sipas parimeve të Kartës së OKB-së dhe normave të së Drejtës Ndërkombëtare.
Ndër të tjerash thuhej se, vendosja e Marrëdhënieve Diplomatike përkon me interesin e të dy shteteve për forcimin e mëtejmë të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Me nënshkrimin e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve, Republika e Kosovës vazhdon forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar.
Sipas MPJ-së, forcimi i pozitës diplomatike anekënd botës është i një rëndësie të veçantë.
“Në këtë kohë të sfidave globale dhe agresionit me të cilin po përballet bota demokratike, forcimi i pozitës sonë diplomatike anekënd botës është i një rëndësie të veçantë, prandaj Republika e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj për të vendosur marrëdhënie diplomatike edhe me vende të tjera njohëse, për të forcuar marrëdhëniet bilaterale me interes të përbashkët”, thuhet në njoftim.

Timori Lindor, ka njohur pavarsinë e Kosovës më 20 shtator 2012, ndërsa vet Trimori fitoi pavarësinë në vitin 1999, kur Kosova u çlirua nga Serbia.