Rënia e VV-së: A po shkon partia e parë drejt 30%?
Një sondazh i publikuar gjatë kësaj jave ka treguar për një rënie të mëtejme të partisë së parë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Lëvizjes Vetëvendosje. Gjetjet e “UBO Consulting” e nxorrën subjektin e Albin Kurtit me 37 për qind në qershor, prej 40 për qind sa ishte në mars.
Ndërkohë, kjo ka nxitur reagime të shumta, sidomos te analistët të cilët kanë ngritur pikëpyetje se partia e parë mund të shkojë edhe më poshtë.
Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi në një shkrim në Facebook, theksoi se treguesi më i qartë nga ky sondazh është se votuesit e VV-së ua lënë fajin të gjitha partive, pra edhe asaj në pushtet, për situatën në Kuvend.
“Ndërsa votuesit e partive të tjera me shumicë (50-70%) e fajësojnë vetëm VV-në dhe fare pak partitë e tyre. Me fjalë të tjera, ka filluar ta nuhasë elektorati Leninin. Sa për përqindjet, është një lloj votuesi që ka qejf me shku me fituesin. Si ta sheh ai/ajo që s’je ma luan i pamposhtshëm, të hiqen automatikisht nja 5%. Efekt ky i rezultateve të shkurtit i cili, në bazë të kandidaturave të bëra publike deri tash, do të thellohet edhe më shumë pas zgjedhjeve lokale. Përveç nëse “e shpëton” prap situatën ndonjë krizë e sigurisë që i ringjallë komandantat e tastaturave” – shkroi ai.
Në anën tjetër, analisti Shenoll Muharremi ka thënë se kjo rënie mund të shkojë edhe më tej, madje drejt 30 përqindëshit.
“Lajmet e mira nga Omnibus-i që u prezantua në Debat Plus janë që sistemi politik po vazhdon me u ekuilibru në Kosovë. Kemi pasur konfirmimin e tretë radhazi të korrektimit të LVV-së: nga 50.2% në 42.3% (9 shkurt), në 40.8% (mars) dhe 37% në qershor.
Kjo është teknikisht pozitive për Kosovën sepse e kemi vërtetu që kur pushteti koncentrohet tek një parti apo tek një, dy, a tre persona, nuk funksionon si duhet. Demokracia jonë parlamentare nuk e duron oligarkinë politike ka nevojë për më shumë parti, ide dhe bashkëpunime. Kështu që LVV po konfirmohet se është në tkurrje dhe me këtë trend është nisur drejt nivelit prej 30%” – tha ai.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Demokraci, Ismet Kryeziu ka thënë se sondazhet e fundit dhe rezultatet e nëntë shkurtit tregojnë se qytetarët po ndihmojnë një krijimin e një partie më përfaqësues, pra ku nuk dominon vetëm një parti.
“Sondazhet e fundit dhe rezultatet e 9 shkurtit tregojnë se qytetarët e Kosovës po ndihmojnë në krijimin e një skene politike më përfaqësuese, duke parandaluar dominimin e një partie të vetme dhe duke kërkuar konsensus për qeverisje. Kjo qasje e votuesve kosovarë po funksionon si një reagim ndaj polarizimit ekstrem dhe si një mundësi për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe një kulturë politike që i tejkalon interesat e partive dhe liderëve” – ka thënë ai.
Ndryshe, në emisionin “Debat Plus” mbrëmjen e së enjtes është prezantuar një sondazh i kryer nga kompania UBO Consulting, ku mes tjerash, qytetarët janë pyetur se për cilën parti do të votonin nëse mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para, por me një rënie në 37 për qind.
Sipas këtij sondazhi, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.6 për qind të përkrahjes dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. 16.8 për qind.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ndërkaq, del më 4.6 për qind.