Rënia e natalitetit në Kosovë shqetëson ekspertët, kërkojnë reagim institucional - NACIONALE

Rënia e natalitetit në Kosovë shqetëson ekspertët, kërkojnë reagim institucional

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rënia e natalitetit po konsiderohet si fenomen i theksuar duke u kërkuar edhe një reagim insittucional rreth kësaj çështje.

Specialisti i gjinekologjisë, obstetrikës dhe infertilitetit në Danimarkë, Negjyp Sopa ka thënë në Klan Kosova se ky fenomen është i theksuar në Kosovë, prandaj duhet të reagohet me kohë.

“Në raport me shtetet e rajonit është ende shumë e pranueshme, por trendi është i shprehur dhe vërtetë është për t’u alarmuar dhe reaguar në kohë. Ne natyrisht se mund të ndihmojmë me infertilitet dhe ka domethënie shumë të madhe. Nëse e bëjmë krahasimin me Danimarkën, çdo i dhjeti fëmijë lind pas trajtimit me infertilitet dhe do të ishte për Kosovën që të reagojmë me kohë që të mos vijmë në një pozicion ku çdo i dhjeti fëmijë të lind me infertilitet, sepse jemi popull me numër shumë të vogël dhe për kah efikasiteti i shërimit dhe efektivitetit të fertilitetit nuk kemi mundësi ta bëjmë sikur në Danimarkë”, - tha Sopa.

Kurse specialist tjetër i gjinekologjisë dhe obstetrikës, Dërgut Aliu, thotë se Kosova është duke përjetuar rënie enorme të natalitetit.

“Në disa raste më duket se e kemi ndihmesën tonë në zvogëlimin e natalitetit, shumë shtete në mënyrë më të shprehur bëjnë ndihmë për rritjen e natalitetit, ne në 20 vitet e fundit kemi rënie drastike, enorme. Në krahasim më shtetet tjera kemi shumë rënie, në 20 vitet e fundit kemi rënie të jashtëzakonshme që është vërtetë brengosëse”, - tha Aliu.

Aliu beson se shteti duhet që përmes politikave të subvencionimit të adresoj çështjen e rënies së numrit të lindjeve, derisa përmendi rritjen e infertilitetit si faktor që ndikon në rënien e natalitetit.

Sikur të kishte ndonjë benefit ajo familje që e ka fëmijën e dytë, apo të tretë ndoshta do të ndikonte, ky është fenomen botëror, por tek ne është brengosëse rënia e natalitetit. Edhe infertiliteti është në rritje, për shkak të moshës, supozohet se edhe lufta ka lënë pasoja sepse tek ne ka rritje të strilitetit mashkullor, më shumë se sterilitetit femëror”, - tha Aliu në Klan Kosova.

Ndërsa, specialisti i shëndetit publik, Ilir Hoxha, mendon se Qeveria Kurti është duke ndërmarrë hapa konkret në adresimin e kësaj çështje.

“Qeveria aktuale është duke iu qasë kësaj në mënyrë proaktive, ligj për të cilin u fol në diskutimet fillestare është një nga shenjat se janë duke u adresuar çështjet, tjetra janë shtesat për fëmijë që janë aplikuar gjatë vitit të kaluar, pra e kemi për herë të parë një qeveri me masa proaktive në adresimin e fenomenit të zvogëlimit të natalitetit”, tha Hoxha në Rubikon.

Por sipas Hoxhës ndikimi i institucioneve në zvogëlimin e fenomenit të natalitetit është i limituar.

Lajme të ngjashme