REL: Raporti për masat ndaj Kosovës dorëzohet javën e ardhshme?
Vendeve të Bashkimit Evropian, anise nuk pati datë formale, të martën do të duhej t’iu dorëzohej raporti i kryediplomatit Josep Borrell për përmbushjen e kushteve nga Kosova rreth heqjes së masave ndëshkuese. Kjo nuk ka ndodhur, megjithatë, Radio Evropa e Lirë përmend datën 19 qershor, si mundësi për t’u bërë kjo.
Burime diplomatike, i kanë thënë mediumit se mbetet data 19 qershor, ku do të mbahet takimi i Komitetit për Politikë dhe Siguri të BE-së.
Megjithatë, edhe kjo është “tentativë”, pasi nuk ka siguri që mund të ndodhë.
Masat e BE-së janë vendosur para një viti, pas tensioneve në veri të vendit. Kosova kishte mbetur jashtë disa granteve për shkak të të njëjtave.
Sa u përket heqjes së tyre, zëdhënësi evropian, Peter Stano, i tha Nacionales të martën si vijon:
“Jo, raporti për masat kundër Kosovës ende nuk është dorëzuar dhe asnjëherë nuk kemi shpallur datë se kur do të bëhet kjo. Në konkluzionet e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme rikujtoi se BE-ja është e gatshme të heqë masat ndaj Kosovës në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit 2023.
“Këshilli (Shtetet Anëtare të BE-së) ftuan Përfaqësuesin e Lartë Borrell që të prezantojë një raport mbi përmbushjen nga Kosova të kërkesave të BE-së. Raporti është ende në finalizim dhe së shpejti do t'u paraqitet Shteteve Anëtare në Këshill.” – na tha ai