REL: Liderët e BE-së do të kërkojnë implementimin e marrëveshjeve të vitit 2013-2015 mes Kosovës dhe Serbisë
Marrëdhëniet Kosovë-Serbi do të diskutohen në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, i cili do të mbahet të enjten dhe të premten në Bruksel.
Në përfundim të këtij takimi pritet të miratohen konluzat duke i dhënë kështu mbështetje propozimit evropian për rivendosjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Obligimet nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kërkohet të zbatohen plotësisht dhe pa kushte në draftin e konkluzioneve, raporton Radio Evropa e Lirë.
Sipas draft-konkluzioneve, Këshilli Evropian "nënvizon nevojën urgjente për përparim në normalizimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes diskutimit të sponsorizuar nga BE-ja
“Këshilli i BE-së mirëpret propozimin evropian për të vendosur raportet mes dy palëve në një bazë të re dhe të qëndrueshme si një rast historik, i cili duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët me qëllim të realizimit të perspektivës së tyre evropiane.” - thuhet aty.
Në vitin 2013 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin, ndërsa në 2015 për parimet udhëzuese për krijimin e tij. Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte konstatuar se marrëveshja nuk është plotësisht në përputhje me Kushtetutën.
Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.
Propozimi parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, integritetin territorial, paprekshmërinë e kufijve, njohjen e simboleve shtetërore dhe aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.