Rektorati i UP-së nën hetime nga Prokuroria Speciale për disa konkurse, Nacionale shpjegon njërin prej tyre [Dokument] - NACIONALE

Rektorati i UP-së nën hetime nga Prokuroria Speciale për disa konkurse, Nacionale shpjegon njërin prej tyre [Dokument]

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Mes muajve maj dhe qershor të vitit 2025, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, kishte hapur konkurse për 32 vende të lira pune në Universitetin e Prishtinës. Dyshimet për dallavere në këto konkurse, kanë vënë në lëvizje Prokurorinë Speciale.

Nacionale ka siguruar një dokument që është kërkesë e Njësisë së Veçantë të Hetimeve të Policisë së Kosovës, e autorizuar nga Prokuroria Speciale, për t’i hetuar këto konkurse?

Çka ndodhi?

Në hulumtimin që ka bërë gazeta ‘Nacionale’, ka gjetur se njëri nga konkurset, ai i datës 28 qershor të vitit 2025 në Universitetin e Prishtinës ishte për Sekretar të Fakultetit Filozofik.

Në mesin e aplikuesve ishte edhe Safet Thaçi, njëherit edhe zyrtar ligjor në Universitetin e Prishtinës.

I njëjti kishte kaluar dy fazat e testimit, por që në fazën e fundit të testimit kishte dështuar dhe rrjedhimisht, nuk u bë sekretar i Fakultetit Filozofik.

Por, i njëjti që kishte dështuar të zgjedhje sekretar i Fakultetit Filozofik, ende pa u mbyllur konkursi, brenda muajit merr një pozitë edhe më të lartë se sa ajo që kishte aplikuar.

Më pas, në një mbledhje të jashtëzakonshme të datës 29 shtator, 2025, të mbajtur nga Këshilli Drejtues i UP’së me tetë vota për Safet Thaçi zgjedhet Ushtrues Detyre i Sekretarit të Përgjithshëm të UP-së.

Ky emërim u bë në mënyrë të hapur, ndonëse neni 20 i Rregullores për Punën e Këshillit Drejtues të UP-së parashikon votim të fshehtë për vendime të tilla.

Vlen të theksohet se Safet Thaçi për këtë pozitë ishte propozuar nga rektori Arben Hajrullahu.

Vetëm pak ditë pasi Safet Thaci nis detyrën e re, ai merr vendim që t'i anuloj 21 konkurse të datës 28 maj, ku njëri nga konkurset është edhe ku vet Thaci kishte aplikuar për për sekretar të Fakultetit Filozofik.

Pra i njëjti që kishte aplikuar në atë konkurs, brenda pak ditësh merr pozitë të re dhe e anulon të njëjtin konkurs.

Në vendimin që ka siguruar Nacionale, thuhet se arsyetimi i anulimit të këtij konkursi është për shkak se procedura e rekrutimit ka tejkaluar afatin ligjor prej 90 ditësh.

Ndërkaq vetëm 4 ditë pas këtij vendimi, Njësia e Veçantë e Hetimeve brenda Policisë së Kosovës, ua kishte kërkuar Universitetit të Prishtinës dosjen e këtyre konkurseve për të hetuar këto konkurse.

Për të kuptuar më shumë lidhur më tërë këto zhvillime në Univeristetin e Prishtinës, Gazeta Nacionale ka nisur pyetje në adresë të Rektorarit të Universitetit të Prishtinës e po ashtu edhe tek Safet Thaçi, por që të njëjtit deri në publikimin e këtij hulumtimi nuk kanë kthyer përgjigje.

Nacionale ka nisur pyetje edhe tek Prokuroria Speciale e Kosovës për të kuptuar se deri ku kanë shkuar hetimet, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kësaj storie.

Lajme të ngjashme