'Reflektim, jo zhgënjim': Krasniqi flet rreth vendimit për dorëheqje dhe besimin në lidershipin e Hamzës - NACIONALE

'Reflektim, jo zhgënjim': Krasniqi flet rreth vendimit për dorëheqje dhe besimin në lidershipin e Hamzës

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Memli Krasniqi, në intervistën e parë pas dorëheqjes nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, foli hapur për arsyet e këtij vendimi, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për lodhje apo zhgënjim, por për një reflektim të gjatë që kishte nisur më shumë se një vit më parë. Ai tha se qëllimi i tij ka qenë që PDK të rikthehej në qendër të politikës kosovare si një forcë e paevitueshme, dhe se ky objektiv, në masë të madhe, është arritur.

“Ky vendim nuk ka të bëjë me lodhjen time apo ndonjë situatë zhgënjimi. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e një reflektimi më të gjatë — më shumë se një vit. Kam pasur një objektiv që PDK të rikthehet jo vetëm formalisht, por në mënyrë vendimtare si faktor kryesor politik,” deklaroi Krasniqi në emisionin Rubikon.

Sipas tij, megjithëse PDK nuk arriti të fitojë zgjedhjet, ajo u rikthye tek baza e saj tradicionale prej 200 mijë votash, duke arritur rezultatin e dytë më të madh në historinë e partisë pa koalicione parazgjedhore. “Garuam me Bedri Hamzën si kandidat, që ishte propozim imi dhe besimi im se ai do të duhej të ishte ai që garon. Ishte një angazhim i madh për ta rikthyer PDK-në si forcë të paevitueshme politike — gjë që tashmë është evidente,” shtoi ai.

Krasniqi theksoi se synimi i tij personal ishte që Bedri Hamza të bëhej kryeministër i Kosovës, por kjo nuk ndodhi për shkak të pamundësisë për të krijuar një qeveri me partitë e ish-opozitës. “Objektivi im ka qenë që zoti Hamza të jetë kryeministri i Kosovës. Megjithatë, nuk arritëm t’i bindim partitë e ish-opozitës që të bashkohemi në një qeveri, përkundër që formalisht kemi pasur mundësinë e numrave,” shpjegoi ai.

Duke folur për proceset e brendshme në parti, Krasniqi theksoi se ka ardhur koha për zgjedhje të reja, të cilat do të sjellin “energji të reja dhe ambicie të reja”. “Ka nevojë të jashtëzakonshme që të kemi zgjedhje të brendshme. U nevojiten organizimeve politike, sepse sjellin energji të reja, ambicie të reja,” tha ai.

Në pyetjen lidhur me zhvillimet në Drenas dhe ndikimin e tyre në vendimin e tij për dorëheqje, Krasniqi tha se vendimi për dorëheqje nuk lidhe me zhvillime në këtë komunë se dhe vlerëson ambiciet e secilit.

“Unë i vlerësoj njerëzit ambicioz. Drenasi është vetëm një komunë në Kosovë, por një komunë e rëndësishme për PDK-në, sepse njerëzit e mirë të asaj komune na kanë mbështetur gjithmonë pa kushte. Gara ka përfunduar, zoti Lladrovci ka fituar dhe unë ia kam uruar fitoren. PDK është më e madhe sesa secili individ, degë apo komunë ndaras,” theksoi ai.

Në fund, Krasniqi bëri të ditur se kandidaturat për kryetar të PDK-së do të hapen menjëherë dhe se secili që plotëson kriteret statutare ka të drejtë të garojë. Megjithatë, ai nuk e fshehu preferencën e tij për Bedri Hamzën. “Preferenca ime është zoti Bedri Hamza. I kam besuar dhe i besoj që të jetë kryeministër i vendit, dhe padyshim që i besoj në këtë moment për të udhëhequr edhe PDK-në,” deklaroi Krasniqi.

Lajme të ngjashme