Reagon vëllai i Fitore Pacollit, e pranon se fitoi grant nga Ministria e Pecit: Po bëhet propagandë
Blerim Pacolli, vëllai i deputetes së VV-së Fitore Pacollit, që fitoi tender nga Ministria e Bujqësisë, që drejtohet nga Faton Peci, ka reaguar përmes një statusi në profilin e tij në Facebook.
Në shkrimin e tij, Pacolli ka pranuar se ka fituar tender, duke thënë se vlera është 63 mijë euro.
“Unë kam fituar grant por nuk i kam fituar 100.000 euro siç po shkruhet nëpër portale. Kam aplikuar me projekt për shtallë për lopê qumshtore, vlera e të cilit arrinë në 100.000 euro. Ministria mbulon 65% shumës së projektit ndërsa unë me financat e mia mbuloj 35% të vlerës. Kush do që din pak matematikë të nivelit fillestar e kupton se vlera që Ministria mbulon projektin është 63.000 euro asnjë cent më shumë” – ka shkruar ai.
Pastaj, Pacolli ka shkruar edhe për lidhjen e tij familjare, duke thënë se nuk ka ndikuar motra e tij deputete.
“Grantin e ka fituar sepse e ka motrën deputetet
Nuk qëndron. Të gjithë ata fermerë që kanë aplikuar sikurse unë dhe kanë plotësuar kriteret e kanë fituar grantin dhe nuk kanë pasur nevojë të ndihmohen nga dikush që njohin. E kanë fituar sepse e kanë merituar. Njësoj edhe unë kam aplikuar. Kam aplikuar si fermer i lirë e as nuk kam llogaritur në Fitoren e as nuk e kam informuar se do të aplikoj. Unë jam i barabartë me fermerët tjerë pavarësisht se kënd e kam motër apo vëlla dhe kam pasur të drejtë të aplikoj prandaj edhe kam aplikuar. E kam fituar grantin sepse i kam plotësuar kriteret jo sepse e kam Fitoren motër. Dyshimet nuk mund t'ua hjeku unë e as nuk e kam ndërmend të tentoj ta bëjë një gjë të tillë” – ka shkruar ai.
Në fund, sikurse shumica e pushtetit, Pacolli ka përmendur termin propagandë.
“Ju si gazetar “profesional” nuk ju lejohet të publikoni dezinformata duke e ditur që asgjë çka ju pretendoni nuk është e vërtetë. Gazetarët e mirëfillt hulumtojnë dhe mbledhin faktet e pastaj reagojnë. Me postimet që dje keni bërë ju e keni shkelur etikën e gazetarisë. Keni shpifur kinse e paskam fituar grantit pa meritë. Keni shpifur aq ultë pa prezantuar asnjë fakt të vetëm se Fitorja dhe Ministri Peci më paskan ndihmuar. Keni shpifur ultë në mënyrë që publikut t'i servoni lajme të pavërteta.
Nëse keni fakte që Fitorja paska ndikuar në përfitimin e grantit publikoni ato mos shpifni” – ka përfunduar Pacolli.