Reagon bashkëshortja e personit që u arrestua me Faruk Mujkën: Te ne u gjetën veç 1200 euro - NACIONALE

Reagon bashkëshortja e personit që u arrestua me Faruk Mujkën: Te ne u gjetën veç 1200 euro

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ria Aliu Muzliukaj, bashkëshortja e Hysen Muzliukaj, këshilltari i ministrit Faton Peci që u arrestua sot bashkë me Faruk Mujkën e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se në shtëpinë e tyre janë gjetur vetëm 1200 euro, që janë të hyra familjare.

Reagimi i saj vjen pasi u përmend se gjatë aksionit, janë gjetur 60 mijë euro.

Ajo, ka deklaruar se 1200 euro që u gjetën në shtëpinë e saj dhe të bashkëshortit, janë të hyra familjare, derisa tha se besojnë në pafajësinë e plotë të z.Hyseni, si dhe në drejtësi.

“Kam marr shumë telefonata dhe mesazhe nga familjar dhe miq, për situaten e ndodhur. Dua të ju njoftoj se shuma e përmendur prej 60 mijë euro nuk është gjetur në shtëpinë tonë dhe nuk kanë te bëjne asgjë me ne. Policia ka evidentuar në shtëpinë tonë vetëm 1200 euro, që janë të hyra familjare. Ne besojmë në drejtesi, sikurse qe besojmë në pafajesinē e plotë të Hysenit. E vlerësojmë pozitivisht sjelljen e policisë, e cila kishte qasje profesionale sot në mëngjes.” – ka shkruar ajo.

Vlen të theksohet se Muzliukaj, u shkarkua nga ministri Peci, pas arrestimit.

Ndërkohë, dyshimet e prokurorisë janë se Mujka veprën e ka kryer sa ka qenë nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, e cila asokohe udhëhiqej nga Agim Bahtiri i VV-së.

Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës." - është thënë në njoftimin e Prokurorisë.

Më herët, Mujka ka mbajtur edhe pozitën nënkryetarit të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së. Ai është vetëm zyrtari i dytë i lartë i VV-së, që arrestohet për korrupsion.

Më 19 prill të këtij viti, për të njëjtën vepër është arrestuar edhe ish kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili në Vetëvendosje për disa vite kishte drejtori Komitetin për Energji.

Prokuroria kishte treguar veprat për të cilat dyshohet Krasniqi.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, ‘Ushtrimi i ndikimit’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘Konflikti i interesit’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.” – thuhej tutje.

Lajme të ngjashme