Rasti i Banjskës: Policia e vazhdon aksionin e kontrollit në pesë vende në veri - NACIONALE

Rasti i Banjskës: Policia e vazhdon aksionin e kontrollit në pesë vende në veri

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës ka njoftuar, përmes një njoftimi në Facebook, se është duke vazhduar kontrolli në disa lokacioni në veri. Sipas Policisë, këto kontrolle janë duke u zhvilluar në lidhje me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë, ku më 24 shtator u krye një sulm terrorist nga një grup i armatosur i udhëhequr nga Milan Radojiçiqi, i dyshuar për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq dhe i sanksionuar nga ShBA-ja e Britania e Madhe. Çka shkroi Policia?

Në njoftimin e tyre, Policia tregon se në pesë lokacione do të zhvillohen kontrolle dhe se qytetarët nuk kanë nevojë për ndonjë shqetësimi. Tutje, aty shkruhet se këto urdhër-kontrolle po zbatohen në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in, dy institucionet ndërkombëtare.

“Sot, me datën 29.09.2023 Policia e Kosovës është duke zbatuar urdhëresën e gjykatës kompetente për kontrolle, në pesë lokacione në tri komunat në veri të Kosovës. Këto operacione janë duke u zhvilluar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë.

Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të Prokurorit (të PSRK-së). Me këtë rast Policia e Kosovës njofton qytetarët se nuk kanë nevojë për ndonjë shqetësim.

Këto urdhër kontrolle, janë duke u zbatuar në koordinim me EULEX dhe KFOR.” – njoftoi Policia e Kosovës.

Tashmë mediumi lokal serb në veri, “Kontakt Plus”, ka publikuar disa fotografi dhe një video nga aksioni i Policisë së Kosovës, ku shihen disa pjesëtarë të njësiteve elitare dhe dy autoblinda para një lokali. Nga pamjet e publikuara, situata duket jashtëzakonisht e qetë dhe pa tensione.

Lajmi në përditësim...

Lajme të ngjashme