Raportuesi i Bundestagut për Ballkanin: Kurti e Vuçiq "partnerë idealë të pandershmërisë", të dy negocojnë "me një fik në xhep" - NACIONALE

Raportuesi i Bundestagut për Ballkanin: Kurti e Vuçiq "partnerë idealë të pandershmërisë", të dy negocojnë "me një fik në xhep"

1 vit më parë

nga NACIONALE

Josip Juratoviq, raportuesi i Bundestagut për Ballkanin Perëndimor, është shprehur kritik i ashpër për drejtimin që ka marrë aktualisht dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar ngërçin në zbatimin e marrëveshjes franko-gjermane dhe dështimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për të përmbushur plotësisht zotimet e tyre. Ai i quajti liderët e të dyja shteteve "partnerë ideal" dhe se ata, sipas tij, kanë nevojë për njëri-tjetrin".

Juratoviq, i cili thotë se dikur mbështeti kryeministrin Kurti, për premtimet e tij për demokratizimin e Kosovës, foli për ndryshimin në qëndrim, gjatë një interviste për Nova.rs.

"Jam dikush që njëherë mbështeta Albin Kurtin, sepse ai premtoi të shkëputej nga koalicioni i luftës që qeveriste atëherë dhe se donte të demokratizonte Kosovën. Në thirrjen e dytë, nuk e mbështeta, sepse ai nuk e plotësoi premtimin e tij." tha Juratoviq.

Sipas tij, Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë bërë "partnerë idealë" në mbajtjen e ngërçit politik, me të dy liderët që angazhohen në atë që raportuesi e përshkruan si "negociata me një fik në xhep", një shprehje metaforike ku palët e përfshira në negociata mbajnë diçka në rezervë.

"Sipas mendimit tim, Kurti dhe Vuçiq janë partnerë idealë kur bëhet fjalë për Kosovën. Ata kanë nevojë për njëri-tjetrin. Ndoshta është shumë e ashpër, por duhet vetëm të shikosh veprimet dhe reagimet. Ata shkojnë mirë. Të dy negociojnë me një fik në xhep." - tha ai.

Juratoviq theksoi se, përkundër veprimeve të tyre, të dy liderët nuk po luajnë ndershmërisht. "E vërteta është se asnjëra palë nuk po luan ndershmërisht, ata janë ngulur thellë në problemin e Kosovës dhe Serbisë saqë nuk mund të dalin prej tij." pohoi Juratoviq.

Raportuesi i Bundestagut argumentoi gjithashtu se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nga ana e Presidentit Vuçiq ishte një gabim i rëndë, një veprim që, sipas tij, përfitoi në fund vetëm Kurti. "Budallallëku më i madh që bëri Vuçiq ishte tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës. Kjo i ka shërbyer vetëm Kurtit," tha ai.

Ai theksoi nevojën për rindërtimin e marrëdhënieve përmes strukturave demokratike.

"Marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të rindërtohen përmes strukturave demokratike. Është e qartë për çdo serb se rikthimi i Kosovës në Serbi nuk është i mundur. Duhet të jetë e qartë për Prishtinën që veriu nuk do të bëhet kurrë njësoj me një identitet të përbashkët kombëtar, i cili, përfundimisht, nuk është as i nevojshëm. Ata duhet të bashkëpunojnë." - shtoi ai.

Lajme të ngjashme