Raportohet se O’Brien dhe Eichorst sot vizitojnë Kosovën, mbrëmë e takuan Vuçiqin
Ndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien dhe Drejtoresha e Përgjithshme për Evropën në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme Angelina Eichhorst, pas vizitës që patën në Serbi, do të vijnë për vizitë edhe në Kosovë.
Kështu të paktën raportohet se Ndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien dhe Drejtoresha e Përgjithshme për Evropën në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme Angelina Eichhorst do të qëndrojnë sot për vizitë në Kosovë.
Siç raportohet, dy zyrtarët e lartë do të takohen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkohë, ata të dielën mbrëma patën një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq më Beograd.
Vuçiq në profilin e tij në Facebook, shkroi se takimi pati në fokus kushtet politike në rajon, situatën aktuale në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit në fusha të shumta.
Ai rithekson se temë e diskutimit ishte Kosova dhe sa i përket dialogut të vazhdojë me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së.
“Kemi shkëmbyer mendime edhe për rolin e Serbisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë. Me bashkëbiseduesit u njoha në detaje për situatën në Kosovë dhe shpreha shqetësimin e thellë për sfidat me të cilat populli serb përballet çdo ditë. Theksova nevojën për një angazhim më të madh të SHBA-së në këtë çështje, pasi që një mbështetje më e fortë dhe pjesëmarrje më aktive e Shteteve të Bashkuara mund të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, tha ai.
Tutje ai theksoi se ka përsëritur “përkushtimin e Serbisë për integrimin në BE dhe reformat që janë të nevojshme për të përmirësuar bashkëpunimin me BE, por theksova gjithashtu se i gjithë rajoni ka nevojë për një të ardhme të qëndrueshme dhe të parashikueshme, me mesazhe të qarta nga Bashkimi për zgjerim”.
“Gjithashtu theksova progresin enorm të Serbisë në të gjitha sferat e ekonomisë, i cili me vlerësimin e investimeve u konfirmua edhe në qarqet më të larta ndërkombëtare. Unë shpreha gatishmërinë time për të kërkuar zgjidhje të qëndrueshme së bashku dhe stabilitetin dhe prosperitetin e qëndrueshëm të Ballkanit Perëndimor, si dhe shpresën se dinamika e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal do të vazhdojë me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së.” – ka thënë ai.
Në anën tjetër, këto vizita po bëhen pak ditë para takimit të nivelit të kryengociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Burksel.
Ndërmjetësi evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se është “koha të nis përnjëmend zbatimi i marrëveshjes”.
“Ditët e fundit kanë qenë më së shumti për përgatitjen ndërsa jemi duke u përgatitur për takimin e ardhshëm të Kryenegociatorëve më 24 tetor në Bruksel. Pata një vizitë produktive në Vjenë, ku u angazhova në një diskutim të thellë dhe të thellë me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, rreth hapave të nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit. Është koha për të filluar zbatimin përnjëmend”, ka shkruar Lajçak.
Mbetet të shihet se çfarë mesazhe do të përcjellin këta dy zyrtarë.