Raportohet se janë anuluar të gjitha fluturimet në aeroportin e Berlinit - NACIONALE

Raportohet se janë anuluar të gjitha fluturimet në aeroportin e Berlinit

1 javë më parë

nga NACIONALE

Të gjitha fluturimet në aeroportin e Brandenburgut në Berlin u anuluan të mërkurën për shkak të grevës së stafit për rritje të pagave, njoftoi operatori i këtij aeroporti.

Rreth 300 arritje e nisje me përafërsisht 35 mijë pasagjerë ishin planifikuar për të mërkurën në këtë aeroport. Greva e stafit filloi rreth orës 3 e 30 minuta në mëngjes, raporton agjencia “Reuters”.

Një sindikatë u bëri thirrje stafit të aeroportit për shërbime në tokë, siguri të aviacionit dhe në kompaninë e aeroportit që të mbanin grevë për mosmarrëveshjen rreth pagave. Sindikata bëri thirrje për ndërprerjen e punës për një ditë për atë që e quajti përparim të pamjaftueshëm në tri palë negociata paralele.

“Ne shpresojmë që presioni është i mjaftueshëm”- tha përfaqësuesi i sindikatës, Enrico Ruemker, duke shtuar se qëllimi është lëvizja në bisedime.

Ai tha se kompania e aeroportit ka bërë një ofertë kolektive në bisedime për një periudhë 24-mujore, sipas të cilët pagat do të rriteshin për 3 për qind më 1 qershor dhe 2 për qind shtesë më 1 maj të vitit të ardhshëm.

“Kur shihni se sa e lartë është shkalla e inflacionit dhe kur keni parasysh se kolegët nga kjo zonë nuk kanë pasur rritje page për shumë, shumë vjet, kjo ofertë natyrisht se është goditje në fytyrë për kolegët”- tha përfaqësuesi i sindikatës.

Qeveria gjermane pritet që ta publikojë raportin ekonomik vjetor të saj të mërkurën. Një burim i tha agjencisë “Reuters” se në një draft të këtij raporti, niveli i inflacionit këtë vit parashikohet se do të jetë 6 për qind, ndërsa më 2024 2,8 për qind.

Lajme të ngjashme