Raportohet se Hungaria do ta vendosë ambasadën e vet në Jerusalem
Hungaria do ta vendosë ambasadën e saj në Jerusalem muajin e ardhshëm si shenjë e përkrahjes së kryeministrit hungarez, Viktor ORban, për homologun izraelit, Benjamin Netanyahu, raportoi të premten mediumi izraelit, “Times of Israel”.
Nëse vërtetohet, ky vendim do ta bënte Hungarinë shtetin e parë të Bashkimit Evropian që do të hapte ambasadë në Jerusalem, të cilin Izraeli e cilëson kryeqytet të vetin, por një gjë e tillë nuk njihet nga shumica e shteteve të botës dhe statusi i qytetit është i kontestuar me ligjin ndërkombëtar, raporton agjencia “Reuters”.
In apparent gesture to Netanyahu, Orban to move Hungary’s embassy to Jerusalem https://t.co/8bHGZB7Im8
— The Times of Israel (@TimesofIsrael) March 3, 2023
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Hungarisë, Mate Paczolay, nuk e konfirmoi raportimin e mediumit izraelit, por tha se kjo ministri do të ofrojë përditësim për çfarëdo ndryshimi të ambasadës në të gjitha rastet.
“Ne tashmë e kemi vendosur departamentin e tregtisë të ambasadës tonë në Jerusalem vite më parë. Inaugurimi i përfaqësisë së tregtisë së jashtme ishte njoftuar bashkërisht nga ministri i Jashtëm, Peter Szijjarto, dhe kryeministri Benjamin Netanyahu”- tha ai.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Izraelit refuzoi që të komentonte për këtë çështje.
Gjatë kohës së pushtetit të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump, Shtetet e Bashkuara e vendosën ambasadën e tyre në Jerusalem më 2018, por vetëm edhe pak shtete të tjera e kanë bërë të njëjtin veprim.
Kuvendi i Izraelit kishte miratuar një ligj më 1980 për shpalljen e qytetit “të plotë e të bashkuar” të Jerusalemit kryeqytet të vendit. Megjithatë, Kombet e Bashkuara e cilësojnë Jerusalemin Lindor si të pushtuar.