Raportet e rënduara Kosovë-ShBA, Hovenier: “Po ju lë të nxirrni ju vetë konkluzionet” - NACIONALE

Raportet e rënduara Kosovë-ShBA, Hovenier: “Po ju lë të nxirrni ju vetë konkluzionet”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Të mbështjellura në gjuhë diplomatike e të hollë fjalët i pati asisoji të përzgjedhura për të tingëlluar butë e më butë derisa porosia përkthehej në ashpërsinë e vjetër në të qëndruarit të bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – me kërkesën tashmë të prerë: miratojeni draft-Statutin e Asociacionit dhe dërgojeni për rishikim kushtetues.

Jeffre Hovenier në intervistën e fundit në “Rubikon” refuzoi të ndiqte linjën e pyetjeve dhe shqetësimeve që qëndrojnë pezull në ajr për thyerjen e raporteve Kosovë-ShBA, por ama as s’e demantoi.

Po ju lë juve të nxirrni vetë konkluzionet”.

Me këtë përgjigje Hovenier shmangu krejt atë që Adriatik Kelmendi përmendi prej përjashtimit nga “Defender 2023”, mungesën e vizitave zyrtare të nivelit të lartë në Uashington, qortimet me tonet prej më ashprave të Jim O’ Brien, mungesën e komunikimit (etj.).

Jemi duke shpresuar për partneritet shumë të afërm dhe është e qartë se kur partneritetet e afërta bëhen edhe më të afërta atëherë do të ketë edhe më shumë kontakt person më person. Kaq mund të them”.

Kelmendi: Pra, më mirë se ç’e kemi tash...

Hovenier: Po ju lë juve të nxirrni vetë konkluzionet.

Porosa e Hovenier-it shprehej në kërkesën e miratimit me dekret qeveritar të draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, për të cilin dokument qeveria kosovare pësoi një shndërrim radikal në vlerësim brenda disa muajve: duke e quajtur si “jo dokument”, “pa llogo”, “pa autor” e çka-e-mos-tjetër.

Ambasadori amerikan madje këtu pati shumëçka për të thënë duke ia bërë apologjinë draft-Statutit. “Nuk është ky tekst thjesht me ide të ndonjë think-tenku”, tha ai.

Për më tepër e mbarë bllokada në integrimet euro-atlantike, la të kuptojë Hovenier, vjen si pasojë e moslëvizjes drejt Asociacionit përmes këtij draft-Statuti.

Është në interesin e Kosovës që kjo të shkojë para, që shumë gjëra pozitive për Kosovën që ne duam t’i shohim vinë kur kjo të ec përpara”.

Për ShBA, BE dhe mbarë QUINT-i teksti është konform Kushtetutës së Kosovë, tha ai.

Në atë tekst janë trajtuar krejt shqetësimet e artikuluara kaherë: nuk përbën shtresë të re pushteti, nuk ka autoritet ekzekutiv dhe nuk shkojnë përtej rendit kushtetues të Kosovës, sipas ambasadorit.

Por nëse del që është jo në pajtim me Kushtetutën, ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Hovenier.

Hovenier kujtoi se dokumenti zbarkoi në Prishtinë nga akterë të lartë politikë si këshilltarët më të lartë të sigurisë kombëtare të Gjermanisë, Francës, ShBA-së; si dhe vetë BE-së dhe ShBA-së.

Nuk është ai dokument veç me ide të ndonjë think-tenku”.

Është non-paper për arsyen e vetme se Qeveria apo ndonjë ministri nuk e ka miratuar. Ne presim që qeveria të merr veprim që ta dërgojë në kushtetuese; kjo është zgjedhja e qeverisë. Por, të jemi të qartë, kjo nuk është ‘non-paper’ që është dorëzuar veç ashtu si disi rastësisht. Një delegacion fluturo për Kosovë me zyrtarë me përgjegjësi të larta të BE-së me këshilltarë të sigurisë kombëtare të Francës, Gjermanisë dhe Italisë dhe të dërguarin e ShBA-së”, tha Jeffrey Hovenier.

Ne ia dorëzuam dhe thamë që ne besojmë se kjo bën një Asociaicon që mbron të gjitha shqetësimet që ju keni pasur, që nuk kërkon ndryshime kushtetuese, pa autoritet ekzekutiv, as shtresë të re qeverisjes. Pra, ky dokument ka një status tejet të rëndësishëm...dhe Kosovës i thamë që kjo është mjaftueshëm e mirë që Kosova t’i përmbush obligimet e saj me këtë draft. Kjo është tmerrësisht e rëndësishme, e jo veç disa ide prej ndonjë think-tenku”.

Duke folur për kushtëzimet e fundit të Kurtit: prej letrës së Branbiq, dorëzimit të Radojçiq dhe insistimit për nënshkrim, Hovenier la të kuptojë që ShBA s’i mbështet kushtëzimet e bëra.

Marrëveshje për ne është krejtësisht e zyrtarizuar, ShBA ka thënë kështu, BE, kjo është marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e detyrueshme. Ky është qëndrimi ynë, dhe kështu e trajtojmë. Dhe palët presim të zbatojnë të gjithë obligimet...Ne jemi kristal të qartë se Kosova dhe Serbia kanë hyrë në obligime, që i konsiderojmë ligjërisht të detyrueshme, edhe BE, dhe edhe Serbisë të gjitha obligimet ia futën në Kapitullin 35 të negociatave me BE-në”, tha Hovenier.

Vendet mund të shprehin vija të kuqe ose përjashtime, por jo kjo s’është pikëpamja jonë. Të gjitha obligimet duhet të zbatohen”, tha mes tjerash Jeffrey Hovenier.

Lajme të ngjashme