Ramabaja kërkon “rezistencë” ndaj Serbisë: Të hidhet në tavolinë Federata Shqiptare
Sadri Ramabaja, analist dhe aktivist i përhershëm në T7, ka dhënë një intervistë për “Euroneës Albania”, ku ka rikthyer në diskursin e tij idenë e federatës shqiptare, për të cilën Ramabaja duket se qëndron i vetmuar politikisht.
Ideja e federatës shqiptare, tha Ramabaja, nuk është një kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve për luftë të Serbisë.
“Këtë nuk do të duhej kuptuar si kundërvënie e asaj që don të bëjë Serbia. Është e drejtë e Serbsië dhe e serbëve të bëjën ç’të duan, të organizojnë të ardhmen e shtetit të tyre, respektivisht të kombin e tyre ashtu si duan dhe munden.” – ka thënë Ramabaja.
Në intervistë, Ramabaja ka vlerësuar se Kosova duhet të përzgjedh rrugët që i bëjnë shqiptarët “më rezistentë”. Ai iu kthye edhe kohës së Lidhjes së Prizrenit për të argumentuar për nevojën e bashkimit të shqiptarëve.
“Zgjidhja e vetme për të tejkaluar ngërçet në raport me partnerët tanë është t’ua themi hapur se ka ardhur koha që të shikohet kompromisi strategjik i marrë në fund të luftës në Kosovë nga Grupi i Kontaktit për krijimin e shtetit të dytë shqiptar, pa e përcaktuar si shtet të shqiptarëve dhe të minoriteteve që jetojnë aty.” – tha ai.
“Ka ardhur çasti historik, që jo thjesht vetëm si kundërpërgjigje ndaj botës serbe, por si vetëmbrojtje për mos të lejuar tutje të cenohet gjeografia shqiptare, do të duhej të hidhet në tavolinë varianti rezerv i Federatës Shqiptare.” – ka vazhduar ai.