Rama shkarkon nënkryetaren e Prishtinës: A po prishet koalicioni LDK-PDK? - NACIONALE

Rama shkarkon nënkryetaren e Prishtinës: A po prishet koalicioni LDK-PDK?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shkarkuar nga pozita e nënkryetarës së Kryeqytetit, Donjeta Sahatçiun, e cila vjen nga rradhet e PDK-së.

Rama, ka përmendur si arsye ngecjen në fushën e digjitalizimit, duke thënë se ishte ndër premtimet e tij që s’u realizua

“Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znj. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit”. – ka shkruar Rama.

Ai tutje njoftoi, se pozitat që mbante Sahatçiu, tash do t’i marë anëtarja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu.

“Dr. Jehona Lushaku – Sadriu, e kam emëruar Nënkryetare të Kryeqytetit dhe Ushtruese e Detyrës së Drejtores së Arsimit. Dr. Lushaku – Sadriu është profesoreshë e mirënjohur universitare me arritje të shumta profesionale.”

Përplasja Rama-Sahatçiu

Përplasjet e mëdha në kolaicionin LDK-PDK, përkatësisht Përparim Rama – Donjeta Sahatçiu u shpërfaqën pas shkarkimit të Drejtorit të Shërbimeve Publike Ilirik Musliu.

Sahatçiu, pati reaguar ashpër për shkarkomin e Musliut nga Kryetari Rama, duke e quajtur “Revansh të Përparim Ramës”, madje këtë revansh ajo e emëroi “Badovc”.

Ky shkarkim, që i madh e i vogël sot në Prishtinë e di se nuk ka fare të bëjë me mbeturina e me Ilirikun, vjen pasi si PDK ritheksuam publikisht qëndrimin tonë politik që nuk do të mbështesim me asnjë kusht propozimin e tij për këmbim pronash me epiqendër zonën e Badovcit dhe çdo propozim tjetër që dëmton interesin publik”. – pati shkruar Sahatçiu.

Ajo madje e pati quajtur shkarkim të fshehur, duke lënë të kuptohet se Rama s’e ka konsultuar fare partnerin.

Shkarkimi i fshehur i Ilirik Musliut sot përmes rrjeteve sociale, pa e komunikuar tek ai dhe askush tjetër rreth tij, është revansh i pastër. Na duket si revansh politik por nga një jopolitikan si Përparim Rama, revanshet janë personale.”- ishte shprehur ish-nënkryetarja.

Ristrukturimi i kabinetit

Rama ka dhënë detaje nga ristrukturimi i kabinetit qeverisës të Kryeqytetit. Kreu i Kryeqytetit ka bërë të ditura një sërë ndryshimesh në kabinetin e tij

Ai ka bërë të ditur se ka themeluar Drejtorinë për Informim, nën argumentin e “përshpejtimit të transformimit të Kryeqytetit dhe avancimit të standardeve të ndërtimit dhe sigurisë së qytetarëve.” Kryetar i kësaj drejtorie është emëruar arkitekti Ilir Murseli.

Më tej Rama ka njoftuar se në fushën e funksionimit dhe menaxhimit më të mirë të sektorëve të Planifikimit e Urbanizmit do të jetë vetëm një Drejtori, me kryetar Arbër Sadiki.

Drejtoria e Pronës dhe Drejtoria e Kadastrit gjithashtu do të shkrihen në një Drejtori, e cila do të udhëheqet nga Doruntina Maloku. Ndërsa ish-drejtori i Kadastrit do të emërohet në pozitën e Zëdhënësit të Kryeqytetit.

Kryetari Rama më tej ka njoftuar se drejtori i ri i Drejtorisë së Shërbimeve Publike do të jetë Bekim Brestovci.

Rama gjithashtu ka shkarkuar nënkryetaren Donjeta Sahatçiu nën pretendimet se “kemi ngecje në fushën e digjitalizimit”. Më tej, Rama ka bërë të ditur se anëtarja e LDK-së, Jehona Lushaku – Sadriu, është emëruar Nënkryetare të Kryeqytetit dhe Ushtruese e Detyrës së Drejtores së Arsimit.

Lajme të ngjashme