Rama: Qeveria s’po e trajton Prishtinën si të sajën - po krijon pengesa për disa projekte
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Qeveria Kurti nuk po e trajton kryeqytetit si të sajin. Ai në një intervistë për Ekonomia Online ka folur për disa projekte, teksa ka kritkuar Qeverinë e Kosovës.
I pari i Prishtinës, ka thënë se se niveli qendror po pengon disa projekteve madhore, siç është Unaza e Kryeqytetit dhe ndërtimi i rrugës “Agim Ramadani”.
Ai ka folur edhe për projektin e “Tregut të Gjelbër”.
“Projekti i Tregut të Gjelbër është i përfunduar edhe i kemi dy procese tash në tavolinë. Ne e kemi përcaktuar një fond i cili e përmbush mundësinë për ta zhvilluar fazën e parë, mirëpo kur e kemi bërë konferencën për investitorë, në janar të këtij viti, e kemi paraqitur edhe tregun si një investim potencial, kështu që kemi pasur disa investitorë që janë të interesuar bashkë për investim. Pra, komuna me tokë, ata me investim. Edhe këtë do ta shtyjmë përpara. E kemi në proces për me ngritë në asamble, për me dërgua si bashkë-investimin edhe kjo do të ndodhë menjëherë sivjet, do të fillojë në njërën apo tjetrën anë. Pra, i kemi edhe fondet e buxhetuara, por e kemi edhe mundësinë që ta kryejmë të gjithë investimin prej 5.7 milion nga sektori privat. Ne si kryeqytet vetëm se i kemi ndarë 1.2 milionë që ta kryejmë fazën e brendshme. Njëra apo tjetra do të fillojë sivjet”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka thënë se projekti për ndërtimin e rrugës “Agim Ramadani” është ndalur nga institucionet e nivelit qendror me arsyetimin se në atë pjesë mund të ketë gjetje parahistorike, duke thënë se është një bllokadë politike.
Ai ka thënë se qeveria është duke refuzuar që të investojë edhe në Unazën e Kryeqytetit, duke thënë se Qeveria nuk po e trajton komunën si të vetën.