Rama pezullon tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës pas arrestimit të tyre: "Zero tolerancë ndaj korrupsionit" - NACIONALE

Rama pezullon tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës pas arrestimit të tyre: "Zero tolerancë ndaj korrupsionit"

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot pezullimin e menjëhershëm nga puna të tre zyrtarëve komunalë. Vendimi vjen pas arrestimit të tyre nga organet e rendit.

Përmes një deklarate për opinionin publik, Rama bëri të ditur se pezullimi do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e plotë të procedurave hetimore dhe gjyqësore.

"Sot kam marrë vendim për pezullimin nga puna të tre zyrtarëve komunalë, pas arrestimit të tyre," u shpreh Rama.

I pari i Prishtinës theksoi se ky vendim reflekton përkushtimin e institucionit që ai drejton për ligjshmëri dhe transparencë. Ai nënvizoi se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj rasteve të korrupsionit brenda administratës komunale.

Rama gjithashtu garantoi bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë për të zbardhur të vërtetën dhe për të ndërmarrë veprimet e nevojshme administrative konform ligjit.

"Pezullimi nga puna do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore, ndërkohë që ne ritheksojmë përkushtimin për ligjshmëri, transparencë dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit.

Institucioni i Kryeqytetit do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme administrative në përputhje me ligjin.

Ne mbetemi të përkushtuar që shërbimet publike të ushtrohen me integritet dhe përgjegjësi në shërbim të qytetarëve.

Askush mbi ligjin!", shtoi ai.

Lajme të ngjashme