Rama: Është imediate urgjenca që tre policët e Kosovës të kthehen në shtëpi
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije se është duke i vazhduar përpjekjet për kthimin e tre policëve të Kosovë në shtëpi.
Në një konferencë për media, me homologun e tij hungarez Viktor Orban, ai ka thënë se kthimi në shtëpi i policëve të kidnapuar nga policia serbe në veri të Kosovës është nevojë e domosdoshme.
Ai ka treguar se KFOR-i nuk do të japë konkluzion publik, por do të depozitojë dosjen përkatëse në NATO.
"Së pari është imediate, nevojë, urgjenca që të tre punonjësit e policisë së Kosovës të kthehen në shtëpi. Përtej pretendimeve që janë kapur këtu apo kanë hyrë atje, për të cilat KFOR nuk do të japë konkluzion publik, por do të depozitojë dosjen përkatëse në NATO, është absolutisht e qartë që në të gjitha rastet, 3 efektivët nuk kanë bërë asnjë krim, edhe nëse do të supozonim që kanë shkelur vijën e kufirit, kjo ka vetëm një përgjigje, kthimin e tyre në shtëpi. Ne jemi të fokusuar qysh nga momenti i parë për ta bërë këtë të mundur, po përdorim të gjitha kanalet e mundshëm që kjo të ndodhë sa më parë", ka deklaruar Rama.
Ai sërish iu ka bërë thirrje palëve për shtensionimin e situatës në veri.
“Zgjidhja e përbashkët është zgjidhja e ofruar nga bashkësia euroatlantike me pikat e qarta dhe të palëvizshme siç e shikoni dita ditës. Ajo që është me rëndësishme për interesin tonë është që paqja është në tryeze, dokumenti i marrëveshjes është ne tryezë dhe mundësia historike është në tryezë për të mbyllur një kapitull të gjatë dhe të dhimbshëm, dhe për të ta bërë Kosovës një vend të njohur ndërkombëtarisht edhe nga Serbia”, ka thënë Rama.