Qysh e pasqyruan mediat ndërkombëtare dënimin e Kosovës nga partnerët e saj?
Reagimi i ashpër e brutal i ShBA-ve për ngjarjet e të premtes mori dhenë anë e kënd botës. Më vonë, reagimin e ShBA-ve e miratuan edhe shtete tjera aleate të Kosovës. Qysh u pasqyrua kjo nga mediet ndërkombëtare?
Një artikull nga Reuters i botuar pardje, më 26 maj, është i titulluar si vijon:
“Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Gjermania dhe ShBA-ja e dënojnë dhunën e Kosovës”

Artikulli në fjalë është i shkurtër dhe thjesht ofron deklaratën e vendeve të QUINT-it.
Politico ndërkohë ka një artikull më të zgjeruar që mban titullin: “Aleatët ShBA e BE qortojnë Kosovën për eskalimin e tensioneve me Serbinë”

“Ekonomitë më të mëdha të Evropës dhe ShBA-ja e goditën Kosovën për eskalimin e tensioneve me Serbinë” – nis artikulli në fjalë.
Aty përmendet se si Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e serbëve protestues të premten.
BBC në anën tjetër e ka përgatitur një artikull të titulluar “Serbia dërgon trupa në kufi pas përplasjeve në Kosovë”

Edhe në këtë artikull përmendet kritika që i bëri Sekretari amerikan i Shtetit, Kosovës.
Edhe Straits Times ka shkruar për dënimin e ShBA-ve dhe aleatëve tjerë ndaj Kosovës pas përplasjeve me protestuesit serbë.
Qysh u denoncua Kosova?
Ambasadori Jeff Hovenier në një postim të bërë në momentin kur po ndodhnin përplasjet kishte shkruar këto fjalë:
“Shtetet e Bashkuara dënojnë aksionin që po vazhdon nga autoritetet e Kosovës për të mundësuar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndalen menjëherë.”
Më vonë do të reagonte edhe Sekretari Blinken, me një dënim edhe më të ashpër.
Aty mes tjerash thuhet se këto aksione të Policisë tonë do të kishin “pasoja në marrëdhëniet bilaterale me Kosovën”.
Kryeministri i Kosovës deri tash ka deklaruar se e kanë përkrahjen ndërkombëtare.