QIKA: Deklarata e deputete Musliut e pasaktë, dërgon mesazh të gabuar te gratë
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka reaguar ndaj deputetes së VV-së, Arjeta Fejza, e cila sot në seancën parlamentare ka kërkuar që të ndalet femicidi në Kosovë.
“Në Kosovë, gruaja i gëzon të gjitha të drejtat... ne duhet të punojmë shumë që të zbatohen ligjet në Kosovë. Nuk ka femicid. Shoqëria kosovare është demokratike. Nuk ka femicid në Kosovë. Nuk jemi as Iran e as Afganistan,” – u shpreh znj. Ganimete Musliu në fjalën e saj.
Organizata QIKA, ka reaguar përmes një postimi në facebook. Deklaratën e deputetes Ganimete e Musliu "në Kosovë nuk ka femicid" e cilësojnë të pasaktë dhe që dërgon mesazh të gabuar te gratë e vajzat.
Postimi i plotë:
Femicidi (lexo këtu: vrasja e qëllimshme e grave; krim i urrejtjes në bazë të gjinisë) është fenomen i përhapur gjerësisht në botë, përfshirë këtu edhe Kosovën. Shifrat e larta të rasteve të femicidit viteve të fundit në Kosovë dëshmojnë këtë.
Deklarata e deputetes Ganimete Musliu se “në Kosovë nuk ka femicid”, përveç se e pasaktë, dërgon edhe mesazh të gabuar tek të gjitha gratë e vajzat. Mohimi i femicidit dhe dhunës me bazë gjinore, përkrahë kulturën e mosndëshkimit, arsyeton vrasjen e grave dhe përjetëson ciklin e dhunës. Deklarata të tilla janë të papranueshme veçanërisht kur ato vijnë nga persona publik që bartin përgjegjësinë e adresimit të çështjeve të tilla, kaq jetike për qytetarët e Kosovës.
Alarmuese për të gjithë deputetët do të duhej të ishin shifrat në rritje të dhunës ndaj vajzave dhe grave dhe rastet e femicidit. Dhuna cenon drejtpërdrejtë autonominë, sigurinë dhe shëndetin e grave. Minimizimi i përvojave të grave dhe përpjekjes së vazhdueshme të aktivisteve në luftën kundër dhunës dhe njohjes së fenomenit të femicidit është i patolerueshëm!