Qeveria ta rishikojë pozicionin ndaj gazsjellësit amerikan - NACIONALE

Qeveria ta rishikojë pozicionin ndaj gazsjellësit amerikan

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës duhet të ndryshojë kurs, t’i bie pishman dhe t’i thotë “Po” projektit të gazsjellësit amerikan, të cilin e kishte refuzuar në vjeshtën e vitit të kaluar.

Njohësit e proceseve politik i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës ta rishikojë pozicionin e saj kundër projektit të gazsjellësit amerikan. Pas agresionit rus në Ukrainë, ata kanë thënë se kjo çështje është urgjente dhe e domosdoshme.

Analisti politik Ilir Ibrahimi ka deklaruar për gazetën Nacionale se refuzimi i këtij projekti nuk është dashur të ndodhte kurrë.

“Nuk ka pasur nevojë të ndodhë agresioni në Ukrainë që Qeveria e Kosovës ta rishikojë pozicionin e vet ndaj gazsjellësit. Qeveria e Kosovës nuk është dashur t’i thotë ‘Jo’ këtij projekti që në fillim. Projekti i gazsjellësit asnjëherë nuk ka pasur vetëm rëndësi ekonomike por edhe gjeopolitike”, është shprehur Ibrahimi.

Analisti e sheh qëndrimin e Qeverisë së Kosovës edhe si të rrezikshëm madje.

“Thënë thjesht, ‘Jo’-ja ndaj projektit të gazit, është ‘Jo’ ndaj rreshtimit gjeopolitik me aleatët strategjikë. Kjo është shumë e rrezikshme, e ky rrezik po vihet edhe më tepër në pah nga zhvillimet në Ukrainë”, ka treguar Ibrahimi, duke shtuar se Qeveria (jo vetëm me fjalë, por) edhe me veprime duhet të dalë krah aleatëve të saj.

“Qeveria e Kosovës sa më parë duhet të ndërrojë këtë kurs dhe të rreshtohet drejt, jo vetëm me deklarata boshe, por me veprime konkrete. Pranimi i projektit të gazit, do të ishte hapi i parë i mirë në këtë drejtim”, ka deklaruar ai.

Edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kreu i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, mendon se Kosova duhet t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë që ia ofron gjeopolitika e re.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, Murati po ashtu është shprehur se Kosova urgjentisht duhet ta rishikojë pozicionin e saj ndaj këtij projekti amerikan.

“Qeveria jonë, duhet urgjentisht ta rishikojë pozicionin e saj sa i përket gazit amerikan, sidomos tani në kontekstin e një rrethane gjeopolitike, kur përpjekjet për të zvogëluar varësinë evropiane nga gazi rus do të shkojnë duke u rritur. Të gjitha përparësitë që mund të na i sjell gjeopolitika e re, ne duhet t’i shfrytëzojmë maksimalisht”, ka thënë Murati.

Të njëjtin qëndrim e mban edhe Avdi Smajlaj.

Për gazetën Nacionale ai ka argumentuar se kjo është e domosdoshmëri për interesin nacional të Kosovës.

“Rishikimi i vendimit për të mos u bërë pjesë e gazsjellësit është urgjent dhe i domosdoshëm. Krahas përfitimeve ekonomike, Kosova strategjikisht do të bëhet pjesë e mundësive për të përfituar nga aleanca me SHBA-në dhe NATO-n, duke u bërë pjesë e strukturës se furnizimit me energji brenda Aleancës. Kjo do të lehtësonte edhe mundësinë që SHBA-ja të ofrojë pavarësinë nga gazi rus për aleatët dhe partnerët e saj. Kjo do të integronte Kosovën më mirë në strukturën e aleancës me SHBA-të dhe NATO-n.”

Por, Smajlaj ka folur jo vetëm për aspektin politik. Ai thekson që Kosova ka rezerva të kufizuara për burime alternative energjetike.

“Kosova duhet të rishikojë dhe të bëhet pjesë e projektit të gazit amerikan në rajon. Edhe para agresionit rus, pozicioni i Kosovës ndaj këtij projekti është i pajustifikueshëm. Sa më shumë që Kosova i afrohet integrimit Evropian, aq më të mëdha do të jenë kufizimet për përdorimin e thëngjillit si burim i energjisë. Dhe, përderisa Kosova ka kapacitete te kufizuara për burime alternative të energjisë, gazi mbetet burimi më eficient i energjisë. Për një shtet që synon zhvillimin ekonomik dhe rritjen e investimeve, qasja në gazsjellës do të ishte një hap i madh e i domosdoshëm”, ka thënë Smjajlaj.

Tërheqjen e Kosovës nga ky projekt e ka vlerësuar si të gabueshëm edhe ish-i dërguari i posaçëm i administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Sipas tij, për t’u bërë pjesë e NATO-s, Kosova duhet të bëhet pjesë e këtij projekti. “Mendoj se para se të bëhesh anëtar i NATO-s, duhet te thuash “Po” për një gazsjellës që Amerika ta ofron. Kurti e refuzoi. Nëse keni qenë kohët e fundit në Kosovë, duhet ta dini se impianti i qymyrit është një problem i tmerrshëm. E ndien në mushkëri. Nëse nuk je i atij vendi, e ndien se ky impiant i qymyrit nuk është aspak i shëndetshëm për njerëzit. Nuk e kuptoj se pse Kurti ka refuzuar një gazsjellës të pastër që amerikanët ishin vetë të gatshëm ta paguanin”,- ka thënë Grenell në një intervistë për Opinion.al.

Gjatë kohës së tij si ambasador në Gjermani, Grenell kishte paralajmëruar këtë vend për mundësinë që tubacioni i gazit nga Rusia t’i kushtonte politikisht. Ky paralajmërim u rishpërnda në mediet perëndimore pas invadimit që iu bë Ukrainës nga Federata Ruse.*

Refuzimi i projektit, gabim strategjik

Subjektet politike opozitare kanë kundërshtuar fuqishëm Qeverinë e Kosovës për tërheqjen nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit, e Qeverisë së SHBA-së (MCC).

Përfaqësuesit e opozitës patën vlerësuar se përfshirja në këtë projekt ishte një interes nacional dhe gjeostrategjik për Republikën e Kosovës.

Me refuzimin e projektit, sipas zyrtarëve të opozitës, qeveria rrezikonte aleancën me SHBA-të.

Kritikave të tilla, kryeministri Albin Kurti iu kishte përgjigjur, duke thënë se raportet me Amerikën nuk prishën për gypa.

“Nuk ndreqet aleanca me do gypa. Kjo është cektësia dhe shkurtëpamësia juaj,” kishte thënë Kurti*, në një debat parlamentar.

Ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, kishte treguar arsyet e mospërfshirjes së Kosovës në këtë projekt.

Në një konferencë për medie, ajo kishte thënë se Kosova ka nevojë për më shumë informata për të qenë më e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik.

“Në këtë situatë, përballë afateve kohore që ka MCC-ja, ne kemi vendosur të ecim tutje dhe ta shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e Kompaktit për investime me risk më të ulët, por që gjithashtu ndihmojnë Kosovën në cakun drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekonomik dhe zhvillim të sektorit privat”, kishte thënë Rizvanolli.

Ndërtimin e këtij projekti të gazit që do të lidhte Kosovën me Maqedoninë e Veriut, qeveria e Kosovës kishte refuzuar në kohen kur në Evropë veçse kishte filluar kriza energjetike. Me këtë rast, Ekzekutivi nuk kishte treguar se cila duhet të jetë alternativa e furnizimit të vendit me energji. Brenda një kohe të shkurtër, Kosova u përball me mungesë të energjisë elektrike, duke aplikuar reduktime të mëdha të energjisë.

Lajme të ngjashme