Qeveria Kurti emëron shkelësit e ligjit në krye të Bordeve të KRU “Prishtina” dhe “Mitrovica” - NACIONALE

Qeveria Kurti emëron shkelësit e ligjit në krye të Bordeve të KRU “Prishtina” dhe “Mitrovica”

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kumrije Kelmendi-Aliu e Zijadin Lutolli janë emëruar së fundi nga Qeveria si anëtarë të bordit të ujësjellësit Mitrovica. E para si kryesuese e bordit, ndërsa tjetri si anëtar. E Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka emëruar edhe anëtarët e bordit të kompanisë rajonale të ujësjellësit “Prishtina”. Aty Tetuta Ukshini-Aliu është dërguar si kryesuese, teksa Fadil Berisha si anëtar i bordit të kësaj kompanie publike.

Të gjithë të sapoemëruarit, ishin pjesë e bordit paraprak të “KRU Mtirovica” të vendosur nga Qeveria Kurti në korrik të vitit 2021, e të njëjtit kishin bërë shkelje të ligjit, duke zgjedhur kryeshefin ekzekutiv në mënyrë të jashtëligjishme.

Ata zgjodhën kryeshefin ekzekutiv të kësaj kompanie në mënyrë të jashtëligjishme dhe përkundër vërejtjeve dhe gjobës nga Inspektorati, vendimi nuk ishte shfuqizuar nga ata.

Në atë periudhë, bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të KRU “Mitrovica”, zgjodhi jashtëligjshëm kryeshefin ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje, Bashkim Kurtin, më 12 gusht 2021, i cili edhe sot e kësaj dite mban këtë pozitë.

Kundërkandidatët kishin bërë ankesë në Inspektoratin e Punës me arsyetimin se Bashkim Kurti nuk arriti t'i plotësojë kushtet e konkursit për t'u përfshirë në listën e ngushtë të kandidatëve.

Këtë e ka konfirmuar vetë Alajdin Avdullahi, njëri nga kandidatët që pas mospërzgjedhjes si kryeshef, ishte ankuar në Insepktorat. Ai i tregoi Gazetës Nacionale, se ndonëse Inspektorati i ka bërë vërejtje bordit dhe i ka kërkuar që të shfuqizojë vendimin, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“E vërtetë, kam aplikuar në KRU MITROVICA për kryeshef ekzekutiv, kam qenë në rrethin e ngushtë të intervistimit dhe nuk jam përzgjedhur. Ndër të tjera, pas mospërzgjedhjes kam ushtruar te drejtën time në inspektoratin e punës dhe në gjykatë”, tha ai.

Avdullahi tregon se ai ka shfaqur pakënaqësi ndaj bordit, duke theksuar se Qeveria Kurti ka emëruar në bord të njëjtit persona që shkelën ligjin.

“Vendimi i nxjerrë prej inspektoratit të punës në muajin dhjetor, obligoi bordin që ta zbatojë vendimin e inspektoratit për shkeljet të cilat i kanë bërë në përzgjedhjen e kryeshefit, dhe të rishpallet konkursi ose të vazhdohet me kandidatë që kanë qenë numër i mjaftueshëm i tyre që i kemi plotësuar sipas shënimeve të Inspektoratit. Ata nuk e kanë zbatuar këtë vendim dhe inspektorati ka shqiptuar gjobë. Përkundër vendimit, kryeshefi i zgjedhur edhe sot vazhdon ta mbajë atë pozitë. Unë kam pritë vendime të reja, mirëpo qeveria e Kosovës ka vendosë që të njëjtit me i emëru prapë në këtë ndërmarrje, gjë që kur kam dëgju, në rolin e qytetarit, kam pa që nuk është në rregull”, shtoi ai.

Në dokumentin e siguruar nga Nacionale, Inspektorati i Punës kishte dalë me një raport zyrtar lidhur me inspektimin e kryer në KRU “Mitrovica” SH.A., pas ankesës në lidhje me parregullsi të mundshme gjatë procesit të rekrutimit.

Inspektorati e konstatoi si të bazuar ankesën e kandidatit Alajdin Avdullahi për mospërzgjedhjen e tij në pozitën e kryeshefit, dhe se bordi ka shkelur rregullat për përzgjedhjen e kandidatit Bashkim Kurti në pozitën e kryeshefit ekzekutiv.

Si rezultat, më 26 nëntor 2021, Inspektorati i Punës i kishte bërë vërejtje Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të KRU "Mitrovica" duke i udhëzuar që në afat prej tri ditësh të shfuqizojnë vendimin për zgjedhjen e Bashkim Kurtit kryeshef. Këtë vendim anëtarët nuk e përfillën dhe për pasojë u gjobitën nga Inspektorati i Punës me 1200 euro gjobë.

Tutje, në emërimet e reja të këtyre bordeve, datë 01.06.2022, Qeveria vendosi pikërisht këta anëtarë, të cilët duke qenë në këto pozita në Bordin e KRU “Mitrovica”, shkelën ligjin kur emëruan kryeshefin ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje.

Për më tepër, në këto emërime të reja, Kelmendi - Aliu dhe Lutolli, nuk figurojnë as në listën e kandidatëve të përzgjedhur për intervistë me gojë (sipas dokumentit të siguruar më poshtë) gjatë procesit të rekrutimit drejtor në Bordin e KRU “Prishtina”.

Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të Qeverisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Ekonomisë, por deri në publikimin e artikullit, përgjigja ka munguar.

Lajme të ngjashme