Qeveria Kurti del prapë kundër shtrirjes së gazit amerikan, Rizvanolli: Në vend të gazsjellësit, gazifikimi dhe importi nga terminali i Vlorës
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ndaj debatit për gazin e lëngëzuar amerikan (LNG).
Ajo ka mohuar pretendimet se Qeveria e Kosovës ka refuzuar këtë projekt.
Në një video të postuar në profilin e saj në Facebook, ajo ka theksuar se Kosova nuk është kundër LNG-së amerikane, por se zgjidhja më e favorshme është importi përmes terminalit të Vlorës në Shqipëri, në vend të ndërtimit të një gazsjellësi të ri.
“Nuk është e vërtetë që Qeveria e Kosovës është “kundër” gazit të lëngëzuar nga ShBA-të (LNG), siç thuhet. Ne qysh në vitin 2022 kemi nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë me synim bashkëpunimin në termocentralin e Vlorës me LNG. Këtë e kemi konsideruar zgjidhje më të mirë, më praktike, më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme. Bashkëpunimi në energji me Republikën e Shqipërisë është shumë i natyrshëm; dhe, në vend të ndërtimit të gazsjellësit e infrastrukturës përcjellëse të gazit që merr kohë e ka kosto financiare, ne mund të importojmë LNG-në përmes Vlorës, të prodhojmë energjinë elektrike atje e ta transmetojmë përmes linjës së interkoneksionit 400 kV që e kemi të gatshme sot dhe nuk kërkon asnjë cent investim shtesë.ka thënë ai.
Më pas, ajo ka mohuar që Kosova e ka “refuzuar gazin amerikan” në vitin 2021, duke shtuar se për këtë cështje do të flas një ditë tjetër.
“E treta: Përballueshmëria e çmimeve është konsideratë kyçe në politikën tonë energjetike. Kosova është me fat që ka rezerva të qymyrit, gjë që na ka mundësuar që të mos krijojmë varësi nga gazi, por edhe të mbajmë çmimet më të ulëta në rajon, përkundër krizave globale në vitet e fundit. Sot, familjet në Shqipëri energjinë elektrike e paguajnë 31% më shtrenjtë sesa ne; ato në Maqedoni të Veriut 30% më shtrenjtë e në Serbi 25% më shtrenjtë. Ne synojmë që Kosova të vazhdojë të ketë çmimin më të ulët të energjisë elektrike. Prandaj edhe LNG-në e konsiderojmë jo si zëvendësim të burimeve tona, por vetëm si një burim shtesë për kohët kur burimet vendore nuk mjaftojnë. Nga analizat që kemi bërë, del se mënyra më e shpejtë, e dobishme dhe ekonomikisht e favorshme për inkuadrimin potencial të LNG-së në miksin tonë energjetik është përmes TC në Vlorë”, ka vlerësuar Rizvanolli.