Qeveria e Kosovës ndan 50 mijë euro për famijen e heroit Afrim Bunjaku - NACIONALE

Qeveria e Kosovës ndan 50 mijë euro për famijen e heroit Afrim Bunjaku

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës ka ndarë 50 mijë euro për familjen policit, Afrim Bunjaku tashmë Hero i Kosovës që u vra nga grupi terrorist në Banjskë të Zveçanit. Në hyrje të mbledhjes, Qeveria e Kosovës e nderoi me një minut heshtje policin e rënë në krye të detyrës.

Kurti ka thënë se Afrimi Bunjaku ka rënë në "betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetueshmëri".

Në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetueshmëri aty e kishim Afrimin, ndërsa për familjen e tij e sot e çdo ditë tjetër është e gjithë Kosova. Është obligim i yni që e kemi përballë vetmohimit të Afrimit ne sado pak ta përbushimi me atë çka mundemi e kemi për atë që ai la mbrapa më të dashurit e tij, bashkëshortën Lumnijen, vazjën Arbenitën dhe djemtë, Jetlumin e Fatlumin. Andaj ne sot do të aprovojmë vendimin për ndarjen e 50 mijë eurove për t’i dalë në ndihmë familjes së Afrimit, para veprës heroik të Afrimit çdoherë do të përkulemi me nder dhe atë do ta kemi gjithmonë në mendje zmerat dhe shpirtat tonë.” – ka thënë kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Kujtojmë që Bunjaku u vra në krye të detyrës në përplasjen e armatosur kundër grupit terrorist, që udhëhiqej nga Milan Radojiçiqi, nënkryetar i Listës Serbe, i kërkuar nga Kosova për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe i sanksionuar nga ShBA-ja dhe Britania e Madhe.

Po ashtu, rreshteri Bunjaku është nderuar me urdhrin “Hero i Kosovës” nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Në fjalën e saj, zonja Osmani vlerësoi se heroizmi i Bunjakut do të frymëzojë Kosovën kundër forcave të errëta e kundër terrorizmit.

“Heroi ynë, Afrimi, ishte një shtyllë e fuqishme e Policisë së Kosovës. Ai ishte një shërbyes i devotshëm ndaj atdheut, i përballur vazhdimisht me sfida e rreziqe, por mbi të gjitha tregoi trimëri të pashoq.

Ai qëndroi i palëkundur në mbrojtje të ligjit e kundër grupeve terroriste të mbështetura nga Serbia, synimi i të cilëve ishte destabilizimi jo vetëm i Kosovës, por trazimi i gjithë rajonit tonë.

Afrimi na kujton se heronjtë nuk lindin, por bëhen të tillë nëpërmjet veprave dhe sakrificës së tyre, e Afrimi është shembëlltyrë e këtyre vlerave. Vlerave patriotike të kultivuara në familjen e tij.” – theksoi zonja Osmani në fjalën e saj në ceremoninë e nderimit të heroit Bunjaku.

Tri ditë më parë, Policia e Kosovës arriti të parandalojë përshkallëzimin e situatës së sigurisë, duke neutralizuar grupin terrorist serb në veri. Ndërsa, tashmë kanë nisur të zbardhen edhe më shumë detajet e sulmit terrorist ndaj Kosovës, pjesë e të cilit grup, sigurisht si udhëheqës, ishte Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe dhe i sanksionuar nga ShBA-ja dhe Britania, si dhe i kërkuar nga Kosova nën dyshimin për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Në kuadër të operacionit të suksesshëm të Policisë së Kosovës, janë konfiskuar edhe shumë armë, municion, vetura, autoblinda e pajisje të tjera ushtarake.

Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme , Xhelal Sveçla, ka theksuar grupi i Radojçiqit planifikonte destabilizimin e veriut të Kosovës. Në një intervistë për “Euronews Albania”, Sveçla ka thënë se ata kishin në plan edhe shpalljen e një autonomie për pjesën veriore.

Flitet për 200 persona potencialisht të rekrutuar të cilët do të ishin pjesë e këtij skenari. Plani ka qenë që ata të zbresin më në jug deri në vijën e lumit Ibër dhe përmes sulmeve të pamundësonin policinë e Kosovës të vepronin lirshëm dhe më pas të deklaronin ndonjë autonomi apo diçka tjetër”, ka thënë Sveçla.

Ndërkohë dje ministri Sveçla e publikoi një pamje që tregonte se Radojiçiqi ishte pjesë e organizimit të sulmit terrorist në veri të Kosovës.

Lajme të ngjashme